Kandidati për deputet i koalicionit “Mundemi” në njësinë zgjedhore 6, Fadil Zendeli, duke folur në emisionin Debat Zgjedhor në TV21, tha se aryeja pse në Maqedoni ka shumë parti shqiptare është për shkak të dështimeve dhe pakënaqësisë që rrjedhin nga partitë që tashmë kanë qenë në pushtet, duke përmenduar këtu Bashkimin Demokratik për Integrim dhe Partinë Demokratike Shqiptare.
“Numri i madh i partive politike është rezultat i dështimeve të partive politike që kanë qenë në qeverisje pas pavarësimit e këtej. Nëse do të kishim një konsistencë të partive politike shqiptare, një demokratizim të brendshëm të partive politike shqiptare ku votuesit, intelektualët, aktivistët do të vinin në shprehje brenda atyre subjekteve, nuk do të ishte nevoja për krijimin e subjekteve të reja. Krijimi i subjekteve politike është dështim i politikave kryesisht të dy partive kryesore, BDI-së dhe PDSH-së, për shkak se ata e kanë monopolizuar skenën politike shqiptare, nuk kanë lënë hapësirë që të tjetër të japin kontribut, që strukturat e brendshme të dëshmojnë veten për proceset politike” u shpreh Zendeli./TV21
