Zemërim për reformën në drejtësi, protesta të dhunshme në Izrael, manifestuesit përleshen me policinë

TË FUNDIT

Policia izraelite u përlesh me turmën e protestuesve gjatë natës, pasi parlamenti miratoi një ligj kontrovers për të kufizuar fuqitë e Gjykatës së Lartë. Masa e cila është pjesë e një pakete të madhe reformash, do të ndalojë gjykatën të përmbysë vendimet e qeverisë, të cilat I konsideron si të paarsyeshme.

Policia në Jerusalem dhe Tel Aviv hodhi ujë për të shpërndarë turmën e manifestuesve që bllokuan autostradat. Të paktën 22 persona u vunë në pranga.

Protestat mbi reformën në gjyqësor, e cila sipas kritikëve kërcënon demokracinë izraelit, zhvillohen prej disa muajsh duke u shndërruar mes më të mëdhave në histori. Por pavarësisht kundërshtive, masat u miratuan në parlament ditën e hënë, me një votim final prej 64 votash pro dhe zero kundër.

Të gjithë pjesëtarët e koalicionit të kryeministrit Benjamin Netanjahu votuan në favor ndërsa ligjvënësit e opozitës braktisën sallën, në shenjë proteste, teksa thërrisnin “turp”. Netanjahu këmbëngul se ligji është I nevojshëm, edhe pse lë të hapur mundësinë për bisedime me opozitën, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Një grup mbikëqyrës politik dhe lideri i opozitës Yair Lapid planifikojnë të dorëzojnë një peticion në Gjykatën e Lartë për të anuluar ligjin. Sakaq, konfederata e sindikatave në vend ka kërcënuar me grevë të përgjithshme, ndërsa mijëra rezervistë ushtarakë, përfshirë pilotë të forcave ajrore kanë paralajmëruar të pezullojnë shërbimin nëse ligji do të lihet në fuqi.