Zelensky paralajmëron kthesë të re: Ukraina hap qendra eksporti ar’mësh në Evropë

TË FUNDIT

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar një ndryshim të rëndësishëm të politikës ushtarake në kohë lufte, duke njoftuar hapjen e 10 qendrave për eksportin e armëve në Evropë.

Sipas Zelenskyt, këto qendra do të funksionojnë në disa shtete evropiane, ndërsa Gjermania pritet të jetë ndër vendet e para, ku brenda pak ditësh do të nisë edhe prodhimi i dronëve ukrainas.

“Në mesin e shkurtit do të shohim prodhimin e dronëve tanë në Gjermani. Do të marr dronin e parë. Kjo është një linjë prodhimi plotësisht funksionale”, deklaroi presidenti ukrainas.

Ai shtoi se linja të ngjashme prodhimi tashmë janë aktive edhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke theksuar se bëhet fjalë për teknologji të zhvilluara tërësisht në Ukrainë.

Zelensky bëri të ditur se aktualisht në Ukrainë operojnë rreth 450 prodhues dronësh, nga të cilët 40 deri në 50 konsiderohen të nivelit të lartë.

Sipas tij, interesi për investime është në rritje të vazhdueshme. “Të gjithë duan të investojnë. Viti 2026 do të jetë vit investimi në teknologjitë tona”, tha Zelensky.

Ai theksoi se industria e dronëve është shndërruar në industrinë më të madhe në Ukrainë gjatë luftës, si për nga përmasat, ashtu edhe për nga vlera financiare që ka gjeneruar.