Zelensky mirëpret dërgesën e tankeve polake në Ukrainë

TË FUNDIT

Polonia do të furnizojë Kievin me 60 tanke shtesë për mbrojtje kundër agresionit rus. Ky veprim i Varshavës u mirëprit nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Faleminderit Polonisë për vendimin e rëndësishëm për të dërguar 60 tanke në Ukrainë – 30 prej të cilave janë të famshmet PT-91 Twardy, së bashku me 14 Leopardë”, shkroi Zelensky në Twitter, më 27 janar.

Siç u bë e njohur në fillim të kësaj jave, Ukrainës i janë premtuar gjithashtu tanke luftarake nga Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki njoftoi për dorëzimin e tankeve më 26 janar, në një intervistë për CTV News kanadeze.

“Aktualisht jemi gati të dërgojmë 60 tanke tona të modernizuara, 30 prej të cilëve janë PT-91. Ndërkaq, në krye të kësaj edhe 14 tanke Leopard 2”, tha ai.

Ai shtoi se Polonia, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, “ka dërguar 250 tanke… ose edhe më shumë”.