Mediat amerikane kanë identifikuar personin e qëlluar për vdekje nga agjentët e sigurisë në rezidencën Mar-a-Lago si 21-vjeçarin Austin Tucker Martin.

Më herët, autoritetet kishin bërë të ditur se i riu, me origjinë nga Karolina e Veriut, ishte raportuar i zhdukur nga familja e tij disa ditë para incidentit.
Sipas Shërbimit Sekret, ai u qëllua pasi tentoi të hynte në mënyrë të paligjshme në perimetrin e sigurisë së kompleksit në Palm Beach.
Agjentët i kërkuan të hidhte armën e gjahut dhe një bidon me lëndë djegëse që mbante me vete. Por, sipas autoriteteve, 21-vjeçari ngriti armën në pozicion qitjeje, çka çoi në reagimin e menjëhershëm të forcave të sigurisë.
Ai u shpall i vdekur në vendngjarje. Hetimet për motivet dhe lëvizjet e tij para incidentit janë në vijim.
Sherifi i Qarkut Palm Beach, Ric Bradshaw, deklaroi se i riu ngriti pushkën në pozicionin e qitjeje përpara se ata ta qëllonin, shkruan BBC.
Bradshaw thotë se kur sigurimi shkoi për të hetuar, gjetën një person që mbante një shishe benzine dhe një pushkë. Siguria e ka urdhëruar t’i lëshonte, e më pas ai ka hedhur shishen dhe ka ngritur pushkën në pozicion qitjeje.
Në atë pikë, agjentët e qëlluan me armë për të “neutralizuar kërcënimin”.
Zëdhënësi i FBI-së, Brett Skiles, tha se zona ku ndodhën të shtënat ishte nën mbrojtjen e Shërbimit Sekret dhe se FBI-ja po mbledh prova.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Shërbimi Sekret veproi me shpejtësi për të neutralizuar kërcënimin.
“Në mes të natës, ndërsa shumica e amerikanëve ishin në gjumë, Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara veproi shpejt dhe me vendosmëri për të neutralizuar një person të çmendur, të armatosur me një armë dhe një bidon me lëndë djegëse, i cili hyri në shtëpinë e Presidentit Trump,” deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
