Disa herë u pyet, por kryeministri Zoran Zaev refuzoi të japë përgjigje në pyetjen, se “A është prioritet i Qeverisë njohja e Kosovës nga Spanja?”.
Kjo pyetje erdhi, pasi ditë më parë, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, derisa bashkëpartiaku i tij i BDI-së, njëherit edhe ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani ishte në vizitë në Spanjë, tha se, “njohja e Kosovës nga Spanja është prioritet i yni”.
“Kemi dhënë përgjigje të detajuar nga Qeveria. Njoftuam, sigurisht në koordinim me mua. Nuk kam diçka çfarë të shtoj në përgjigjen që dje e dhamë në emër të Qeverisë”, tha Zaevi i cili tha se ky qëndrim është në ueb faqen e Qeverisë, transmeton TV21.
Ndërkaq, edhe pse gazetarja insistoi të marrë përgjigje personalisht nga ai, ai e udhëzoi që të kontrollojë ueb faqen e Qeverisë.
Ne kontrolluam ueb faqen, dhe qëndrim nuk ka nga Qeveria në lidhje me pyetjen se, “A është prioritet i Qeverisë njohja e Kosovës nga Spanja?”.


