Zaevi kundër Pendarovskit! Kryeministri dhe presidenti nuk mendojnë njësoj për “Ballkanin e Hapur”

TË FUNDIT

Reagim i ashpër i kryeministrit Zoran Zaev, pas deklaratës së djeshme të Presidentit Stevo Pendarovski, i cili deklaroi se iniciativa “Ballkani i Hapur” ka mangësi dhe se nuk mund të jetë e suksesshme. Zaevi për TV21 theksoi se sipas tij është e pakuptueshme se përse dikush do të ishte kundër miqësisë me fqinjët, përafrimit të të rinjve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor dhe kundër shkëmbimit më të lehtë dhe më të shpejtë ekonomik mes vendeve të rajonit.

“E pamë në të kaluarën çka do të thotë Ballkan i mbyllur, prandaj është e pajustifikueshme çdo kundërshtim sa i takon Ballkanit të Hapur. Ende më e pakuptueshme është ajo që një reagim i tillë vjen nga Presidenti i shtetit i cili nuk ka asnjë kompetencë në pjesën e lehtësimit të procedurave doganore, në pjesën e zbatimit të vendkalimeve “One Stop Shop” për qarkullim në kufij dhe në pjesën e njohjes së lejeve pune dhe diplomave”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

TV21 mori qëndrim edhe nga Kabineti i Presidentit, në të cilin thuhet se qëndrimi i shefit të shtetit për “Ballkanin e Hapur” është i njëjtë që nga fillimi dhe se këtë personalisht ia ka thënë Zaevit në takimet e para në Novi Sad pas promovimit të iniciativës. Mbi këtë temë u debatua edhe në takimin e parë të liderëve në vitin 2019 që u mbajt tek Presidenti Pendarovski bashkë me partitë opozitare. 

 “Konkluza unanime nga takimi i liderëve në lidhje me iniciativën Ballkani i hapur ishte se shteti ynë nuk ka rrugë alternative drejt anëtarësisë së plotfuqishme në BE dhe nëse iniciativa Ballkani i hapur ka karakter të tillë, se ka alternativë tjetër, ajo nuk është e pranueshme për asnjë subjekt politik në  Maqedoninë e Veriut. Presidenti Pendarovski asnjëherë nuk ka dhënë deklaratë e as nuk ka miratuar ndonjë akt ose vendim kundër miqësisë së popujve në rajon dhe kundër perspektivës së tyre evropiane“, thonë nga kabineti i presidentit Pendarovski.

Pendarovski dje në konferencë për mediat në Prishtinë rikujtoi se ai ishte politikani i parë i cili u shpreh i përmbajtur ndaj kësaj iniciative sepse nëse iniciativa Ballkani i hapur duhet të jetë alternativë për anëtarësimin në BE, ai është kundër. Kjo iniciativë duhej t’i përfshinte të gjithë 6 shtetet, e jo vetëm gjysma prej tyre, tha Pendarovski. Por edhe në këtë rast kjo iniciativë mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit.

 “Sot po e them atë që e përsëritin të gjithë bashkëbiseduesit e mi gjatë dy viteve të fundit, se kjo iniciativë është me mangësi që nga fillimi, për shkak se, në vend që të marrin pjesë të gjithë 6 shtetet e Ballkanit perëndimor, marrin pjesë vetëm gjysma prej tyre. Qëndrimi im edhe më tutje do të jetë se derisa kjo iniciativë nuk i përfshin të gjithë 6 shtetet e Ballkanit perëndimor, nuk do të jetë e suksesshme“, deklaroi Stevo Pendarovski, president i RMV-së.

Iniciativa Ballkani i hapur është e nënshkruar para dy vjetëve në Novi Sad mes kryeministrit Zoran Zaev, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Në deklaratë të përbashkët ata i thirrën liderët e vendeve të tjera t’i bashkëngjiten kësaj iniciative e cila, siç u theksua, është në drejtim të bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të rajonit.