“Unë vite me radhë jetoj në Shkup, jam dega e Shkupit apo siç jam tani…”, tha Zoran Zaev – Kryetar i LSDM-së.
Me këtë shaka përgjigjet kryetari i LSDM-së, strumicasi Zoran Zaev, i pyetur nëse mos rikandidmi i Radmilla Shekerinskës për nënkryetare të partisë do të ndikonte në degën e Shkupit.
Nuk përmendi dialog e as ndonjë përpjekje se do të përpiqet ta bindë që Shekerinska të mbetet nënkryetare. Vetëm thotë se e respekton vendimin e saj, ose parë ndryshe, e lë të lirë të vetë mënjanohet.
“Radmilla Shekerinska nuk ka parashtruar dorëheqje. Ajo njoftoi, siç lexova dhe gjithsesi siç është ndarë me mua, se nuk ka për qëllim të kandidohet për mandat të tretë për nënkryetare të LSDM-së. Unë së bashku me Radmillën në vitin 2013 morëm përgjegjësi të madhe në LSDM, unë si kryetar, ajo si nënkryetare, që ta udhëheqim LSDM në një kohë shumë të vështirë. Unë e respektoj vendimin”, u shpreh Zoran Zaev – kryetar i LSDM0-së.
Pasi u shpreh se Shkekerinska nuk ka dorëzuar dorëheqje, Zaev shtoi se do të vazhdojë të bashkëpunojë me të, pavarësisht nëse Shekerinska do të vazhdojë të jetë në LSDM ose diku tjetër në shoqëri. Bashkë me këtë theksoi madje se ia njeh meritat për kontributin në integrimet euroatlantike në vendit.
Shkekerinska, dje në pyetjen e TV21 nëse beson se do ta ruajë postin e nënkryetares pas kongresit të majit, tregoi se ka vendosur të mos rikandidojë.
“Mora një pyetje nga ana e organizatës sime komunale nëse jam kandidate? U thash se nuk jam. Kjo sepse vlerësoj se me të vërtetë edhe LSDM-ja, po edhe skena politike e RMV-së, shkon përpara kur vazhdimisht prodhon edhe kuadro të reja”, theksoi Radmilla Shekerinska – nënkryetare e LSDM-së.
Edhe Zaev pajtohet se udhëheqësia e LSDM-së duhet ripërtërirë. Mohon se është folur për emërimin e saj për ambasadore në Shtetet e Bashkuara, e aq më pak ajo të ketë refuzuar.
