Kryeministri Zaev paralajmëroi se është i gatshëm ta shtyjë regjistrimin, por jo për një vit siç kërkon opozitarja VMRO-DPMNE, por ashtu siç dje propozoi Presidenti Stevo Pendarovski – regjistrimi të mbahet në maj apo qershor. Ai tha se janë shqyrtuar të gjitha kërkesat të cilat ditëve të fundit opozita i prezantoi në opinion publik, sidomos kërkesën për regjistrim elektronik. Zaevi shton se regjistrimi i tillë nuk do t’i japë të dhënat e nevojshme, siç janë përkatësia fetare dhe etnike, si dhe të dhënat për mërgimtarët.
“E pashë edhe propozimin e Presidentit të shtetit – të shtyhet për disa muaj. Mirë. Gjithmonë jam i gatshëm, duhet menduar për gjithçka. Gjatë verës e dimë se regjistrim nuk zbatohet, në shtator e kemi fushatën, në tetor është periudhë zgjedhore për zgjedhjet lokale. Le të mendojmë për një muaj, një muaj e gjysmë dhe diku kah mesi i qershorit të përfundojmë. Siç e shoh, opozita tashmë e refuzoi këtë, prandaj edhe një herë do të dërgoj mesazh të jemi të përgjegjshëm dhe ta zbatojmë regjistrimin”, deklaroi Zaev.
Shefi i opozitës pas paralajmërimit të djeshëm se e fillojnë procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për ta kontestuar Ligjin për Regjistrim, deri te KSHZ-ja i dorëzuan 100 nënshkrimet e nevojshme për fillim të procedurës.
“Apelojmë për mirëkuptim, nëse ekziston mirëkuptimi, të prolongohet regjistrimi i popullsisë për në vitin 2022. Apelojmë deri te Qeveria dhe kompetentët në parlament të pranojnë propozimin e opozitës për regjistrim në mënyrë elektronike. Mos e vendosni në rrezik shëndetin e qytetarëve. Nuk ishit të aftë për t’i mbrojtur, nuk ishit të aftë për të sjellë vaksina, për ata që dëshirojnë ta mbrojnë shëndetin duke u vaksinuar, tua mundësoni këtë, kësaj here së paku bëni regjistrim në mënyrë elektronike”, deklaroi Mickovski.
Edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi në intervistë për MIA tha se për prolongim të regjistrimit nevojitet vendim politik.
“Kuvendi ka sjellë Ligj për zbatim të regjistrimit. Ka paraparë afate për të gjithë dhe në këtë moment mendoj se nuk nevojitet që të dilet me mendime të atilla ose të këtilla. Nëse mendojnë se duhet të prolongohet, për këtë gjë duhet vendim politik. Ky vendim politik duhet të shndërrohet në zgjidhje ligjore. Për sa kohë do të prolongohej ky regjistrim? Në kontekst të pandemisë me Kovid, çfarë do të thoshte kjo? A ka dikush informacion nëse në qershor, korrik do të përfundojë pandemia për ta realizuar ose do të kemi një zbrazëti ligjore dhe do të hyjmë në kaos juridik”, tha Xhaferi.
Presidenti Stevo Pendarovski edhe pse paraprakisht e nënshkroi Ligjin për Regjistrim, dje tha se nuk sheh arsye se pse regjistrimi të mos mbahet në maj ose qershor. Legjitime janë kërkesat nga aspekti shëndetësor. Nëse kemi pritur 20 vjet, nuk është mëkat nëse regjistrimi prolongohet për në maj ose qershor, tha Pendarovski.
