Pritjet që të formohet qeveri politike është në interes të zhbllokimit të shpejtë të procesit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për integrim në Bashkimin Evropian, pohoi kryeministri Zoran Zaev dje në forumin e liderëve që u mbajt në Bled. Në margjina të forumit ka biseduar edhe me presidentin bullgar, Rumen Radev. Zaev shpreson se pas këtyre zgjedhjeve në Bullgari, më në fund do të formohet Qeveri dhe do të arrihet marrëveshje me kabinetin e ri qeveritar për debllokim të proceseve në dhjetor.
“Mbetet shpresa jonë për fatin e tretë me Bullgarinë, para se gjithash për popullin bullgar, ta krijojnë qeverinë politike që të mundemi në fund të dhjetorit, kur do të mbahet Këshilli i ministrave dhe Këshilli Evropian, të merret vendim gjatë kryesisë së Sllovenisë. Unë besoj se mund të shpresojmë se në fund të vitit 2021 përkatësisht deri në fund të dhjetorit, të sillet vendim pozitiv, varësisht nga zhvillimi pozitiv i ngjarjeve para se gjithash në Republikën e Bullgarisë”, tha Zaev.
Përndryshe, në Forumin e djeshëm në Bled, kryeministri shqiptar, Edi Rama doli me kritika të ashpra ndaj BE për shkak se vendet e Ballkanit Perëndimor një kohë të gjatë po presin para dyerve të unionit. Ai në mënyrë të drejtpërdrejtë iu drejtua presidentit bullgar, Radev për të debllokuar rrugën drejt BE-së.
“Dua ta shfrytëzoj mundësinë dhe t’i them presidentit të Bullgarisë, ju lutem, ju bullgarët, mos jini BE, jini pak ballkanas, hapeni rrugën. Hapeni rrugën. Çfarë përpiqeni të bëni?! Çfarë përpiqeni të shpëtoni?! Përpiqeni të shpëtoni çfarë?! Hapeni rrugën për të biseduar. Lejoni të bisedojmë me ta, ndërsa pastaj, ju jeni ballkanas, mundeni tërë kohën të jeni në këtë rrugë dhe të thoni – jo, ne bllokojmë këtu, bllokojmë atje, por hapeni rrugën”, i tha Rama Radevit.
Radev është i vetëdijshëm se presioni ndaj Bullgarisë do të rritet për shkak të vetos ndaj Maqedonisë së Veriut. Duke folur për procesin aderues të Ballkanit Perëndimor, tha se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të kemi në mendje çfarë është e rëndësishme në këtë proces, procedurat apo vlerat.
“Bulgaria është përkrahës i fortë i procesit të zgjerimit. Por ne duam ta shohim këtë proces dhe të ardhmen tonë stabile. Ne duam të shohim këtë proces të pakthyeshëm, integrues dhe stabil, ndërsa për ta siguruar qëndrueshmërinë ne duhet t’i kthejmë vlerat tona. Ne duhet të jemi të sigurt se të rinjtë tanë do të takohen të lirë pa paragjykime dhe pa gjuhë të urrejtjes”, iu përgjigj Radevi Ramës.
Bullgaria një kohë të gjatë është në pasiguri politike pasi që pas dy cikleve të njëpasnjëshme zgjedhore nuk mundi të formojë Qeveri. Në nëntor për të tretën herë këtë vit në Bullgari do të mbahen zgjedhje parlamentare, ndërsa në nëntor gjithashtu janë caktuar edhe zgjedhjet presidenciale.
