Zaev: Prej 12 orëve të bisedimeve, 8 për mospublikimin e bombave!

TË FUNDIT

Pas takimit në rezidencën e BE-së në Vodno, për mediat u prononcua edhe lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev.  “Nuk ka marrëveshje. Pra, presim zbatimin e plotë të Ligjit për Prokurorin Special dhe gjithsesi zbatim të asaj që është dakorduar më 15 korrikut, e kjo është organizim i qeverisë siç është përcaktuar në marrëveshje, as më shumë as më pak”, deklaroi Zaev.

Sipas tij, pushteti ka shpenzuar kohën duke insistuar në ligj për mospublikim të bombave. Ai shprehu habi me qasjen e pushtetit në negociatat sot. “Si mundet që për dikë të jetë më me rëndësi, që prej këtyre 12 orëve të bisedimeve, më tepër se 8 ose 9 orë të harxhojë për rëndësinë e prurjes së ligjit për ndalim të publikimit të ‘bombave’politike, që qenka më e rëndësishme se ardhmëria evropiane e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, theksoi Zaev pas takimit.

Në pyetjen e TV 21 se për çfarë afrimi të qëndrimeve flasin atëherë Ilija Dimovski dhe Ali Ahmeti, Zaev u përgjigj se faktori ndërkombëtar është dëshmitar për atë se si janë zhvilluar bisedimet. “Qëndrimet tona mund të jenë subjektive. Komuniteti ndërkombëtar është prezent këtu, unë si qytetar i Maqedonisë jam tejet falënderues për mundin që po bëjnë, duke bërë gjëra që në dukje janë të thjeshta, por që assesi nuk mund të definohen. Pushteti vetëm lë përshtypjen që po ble kohë. Deri kur do të blejë kohë?Ja erdhi edhe komisari Han. Deri kur? Tani do t’i blejmë edhe 20 orët e fundit?”, u përgjigj Zaev.

“Sot është 20 tetor, tani është ora 4 e mëngjesit. Gjer në ora 24, ka edhe 20 orë për të arritur një marrëveshje për gjëra të tilla të thjeshta. Thjesht, të zbatohet Ligji për Prokurorin Special, të zgjedhet ekipi i prokurori special dhe të zgjedhet qeveri teknike, ashtu siç është përcaktuar në protokollin dhe saktësuar më 15 korrik, ajo është e shpërndarë në opinion dhe është aq e thjeshtë”, u shpreh lideri i opozitës maqedonase.