Zaev përballet me premtimin e parealizuar, 72 rrugë të Shuto Orizares ende janë me gypa asbesti

TË FUNDIT

Komuna e Shuto Orizares në Shkup, ka të instaluar më së shumti gypa asbesti nga gjitha komunat e tjera të kryeqytetit.

Sot në këtë komunë ishte kryeministri Zaev, i cili që në vitin 2018 ka premtuar se do të hiqen të gjithë gypat asbest në vend. Tani thotë se paratë janë gati, 100 milionë euro për kanalizime dhe ujësjellës të ri.

“Një pjesë është me asbest gypa pjesa tjetër jo. Edhe ajo që është me gypa asbesti, duhet ta ndryshojmë, kemi diku 30% komuna ku disa pjesë i kanë me gypa të vjetër asbest, për atë shohim si një projekt të madh për shumë komuna që të zëvendësohen gypat e vjetër të asbestit me gypa të rinj”, tha Zaev.

Kryetari i komunës së Shuto Orizares, Kurto Dudush tregon se rreth 5 km rrugë janë me gypa asbesti, e që duhet të ndryshohen.

“Në komunën e Shuto Orizares kemi 72 rrugë, nga ku ashtu siç tha kryeministri 30% është me gypa asbesti, e që i bie se diku 5 km rrugë që duhet të ndryshohen me gypa të rinj”, tha Dudush.

Materiali asbest, prej të cilit ka edhe gypa të ujit, ka kohë që është i ndaluar në vendin tonë për shkak se ky material është i dëmshëm për shëndetin. Megjithatë në disa vende ende ka gypa të ujit të prodhuara nga ky material. Sipas Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, 7,5% prej sistemit të gypave është prej saloniti. Shtojnë se në programin e tyre investues, çdo vit planifikohen mjete të caktuara financiare që shfrytëzohen për rikonstruim dhe ndryshim të gypave të ujësjellësit nga azbesti-çimento.