Kryeministri Zoran Zaev për TV21 tha se e pranon ftesën nga ana e kryetarit të VMRO-DPMNE-së për t’u takuar sy më sy.
“Sigurisht që po, pranoj”, tha shkurt për TV21, Zoran Zaev.
Kujtojmë që sonte kryetari i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, e ftoj në takim sy më sy kryeministrin Zaev për të diskutuar për të gjitha çështjet.
“Të flasim për të gjitha ato probleme që janë jetike. Nga kriza me pandeminë deri te puna e Kuvendit. Për gjithçka që është hapur në këtë moment” tha mes tjerash kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
I pyetur nëse do të thirren edhe liderët tjerë të partive politike, në të cilën Mickoski tha se po fliste për një takim mes dy liderëve të dy partive më të mëdha politike, dmth partive me numrin më të madh të deputetëve në parlament.
“Shpresoj të mos keqkuptohem nga liderët e tjerë politikë, sepse qëllimi im është i sinqertë. Qëllimi im është të arrijmë një konsensus midis dy partive më të mëdha politike” shtoi Mickoski.
Ai shtoi se ata do të diskutonin për të gjitha temat nga korona, vaksinat, bllokimi i integrimit në BE, zgjedhjet, Qeveri të ekspertëve dhe Qeveri të zgjeruar, shpëtimin kombëtar dhe të ngjashme.
