Zaev: Nuk e di çfarë do më shumë Bullgaria! Bullgaria me mesazh se nuk heqin dorë nga ata që kanë pasaporta bullgare

TË FUNDIT

Maqedonia mbetet e përkushtuar për t’i zgjidhur çështjet me Bullgarinë, por unë si kryeministër, nuk e di cili është problemi. Këtë e deklaroi kryeministri Zaev pasi nga Sofja zyrtare mbërritën mesazhe të reja – se ata nuk do t’i tradhtojnë shtetasit bullgarë në Maqedoni.


“Nëse kjo është zgjidhje, le t’i pyesim qytetarët e Maqedonisë që kanë pasaporta bullgare. Ne jemi miq. Unë dje dërgova mesazh se duhet ta zgjidhim problemin, por në fakt unë nuk e di ku qëndron problemi. Jam kryetar i kësaj Qeverie…Filluan nga emri i gjatë dhe i shkurtër, definuam se emri i shkurtër është i njëjtë me emrin e gjatë – Republika e Maqedonisë së Veriut. Nuk ka pretendime territoriale, nuk do ta sulmojmë Bullgarinë, ne jemi miq dhe jo vetëm”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Kjo përgjigje e Zaevit erdhi pasi gazeta bullgare “Trud” përcolli qëndrimin e Ministrisë së Jashtme lidhur me atë se çfarë do të ndërmarrë në gjashtë muajt e ardhshëm. Thuhet se ata do të vazhdojnë me përpjekjet e tyre për t’i sqaruar problemet që i kanë me Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se nuk do të heqin dorë nga mbi 88 mijë qytetarë maqedonas që kanë pasaporta bullgare, pa shpjeguar se çfarë më saktësisht nënkupton kjo. Ministrja Zaharieva vazhdimisht këmbëngul se nuk ka pakicë maqedonase në Bullgari.


“Do të ishte e pakuptimtë të presim se pozicioni i Bullgarisë do të ndryshojë. Ky pozicion është lëndë e konsensusit mbipartiak dhe me 84% të mbështetjes publike. Të mos harrojmë se sa qytetarë bullgarë janë trashëgimtarë të refugjatëve nga Maqedonia e Vardarit. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, 88.450 shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut gjithashtu kanë shtetësi bullgare. Asnjë Qeveri bullgare nuk mund t’i tradhtojë këta njerëz”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.

VMRO-Partia Popullore është e shqetësuar për shkak të shpjegimeve që vijnë nga Bullgaria fqinje, vetëm për ta justifikuar, siç thonë, hapin katastrofik me vendosjen e vetos për perspektivën evropiane të Maqedonisë. Nga partia e Ljubço Georgjevskit, e cila në radhët e saj ka numër të madh anëtarësh të cilët përveç që kanë nënshtetësi bullgare, gjithashtu deklarohen si bullgarë të Maqedonisë, besojnë se faktet e flasin të kundërtën.


“Derisa zgjat ky kontest, asnjë qytetar maqedonas që posedon pasaportë bullgare, nuk është deklaruar si bullgar maqedonas, nuk ka deklaruar miqësi drejt Bullgarisë dhe nuk ka thënë një fjalë të vetme pozitive për veton bullgare, por përkundrazi të gjithë ata ndihen të kërcënuar se kjo politikë dritëshkurtër që vjen nga Bullgaria kërcënon të ardhmen e familjeve dhe të afërmve të tyre”, potencojnë nga VMRO-Partia Popullore.

Në të njëjtën kohë, nga grupi parlamentar i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian ishte dërguar mesazh se BE-ja duhet të punojë për heqjen e vetos që RMV-ja të mund t’i nisë negociatat. Liderët e BE-së duhet të kuptojnë se luajnë lojë shumë të rrezikshme me mbështetjen pro-evropiane dhe stabilitetin politik të Maqedonisë së Veriut. Kur Bashkimi Evropian nuk përmbush pretimin e tij, atëherë aktorë të tjerë të huaj do të aktivizohen dhe do ta rrisin ndikimin e tyre në vend, një trend tashmë i dukshëm në të gjithë Ballkanin Perëndimor, porosisin nga grupi parlamentar i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian.