Zaev nën presion të vazhdueshëm! Analistët: Propozimi për Qeveri të zgjeruar, shpëtimi i vetëm

TË FUNDIT

Si po ballafaqohet kryeministri dhe lider i LSDM-së me problemet e përditshme? Faktori ndërkombëtar i kërkon ndryshimet e premtuara ndërsa faktorët e vendit ushtrojnë presion bile edhe më shumë. Përhapen edhe informacione për diskreditim të partisë, ndërsa opozita publikon  raste për të cilat pushteti thotë se ato vetë paraqesin  vepër penale.

 “Disa nga punët jo aq të këndshme është që pjesë e reformave strukturore, sundimi i së drejtës dhe ndryshimet e domosdoshme që janë theksuar për fillimin e negociatave me BE-në, ishin në pauzë të plotë ose të pjesshme për shkak të pandemisë me Kovid. Në mënyrë shtesë kriza ekonomike të cilën e shkaktoi pandemia, kriza politike e vendosin atë nën presion të vazhdueshëm”, deklaroi Petar Arsovski – analist.

Arsovski shton se sa i përket situatës brenda partisë, Zaev tani ka mandat të pastër dhe mund ta krijojë ekipin rreth tij. Analisti Vlladimir Bozhinovski thotë se gjendemi në situatë të pandryshueshme.

 “Supozoj, do të shohim, por supozoj se dalja e vetme do të jenë zgjedhjet e parakohshme, kishte një zgjidhje pas zgjedhjeve  të vitit të kaluar, e thashë unë këtë menjëherë pas zgjedhjeve, madje edhe faktori ndërkombëtar foli për koalicion të zgjeruar që do ta zbuste krizën me virusin korona”, u shpreh Vlladimir Bozhinovski – analist.

 “Unë mendoj se ky propozim do të duhet të kthehet në tryezë dhe të shqyrtohet në mënyrë më serioze, kjo varet më së shumti prej asaj nëse do ta fillojmë konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në. Po që se e fillojmë, do të nevojitet konsensus politik që sa më shpejtë t’i bëjmë reformat e nevojshme strukturore, thënë kushtimisht t’i arrijmë dhe t’i tejkalojmë vendet që filluan të negociojnë para nesh derisa ne prisnim së pari nga Franca ndërsa tani nga Bullgaria”, shtoi analisti Petar Arsovski.

Por, edhe nëse nuk marrim datë për fillimin e negociatave, Arsovski thotë se propozimi për qeveri të gjerë do të jetë aktual edhe për formimin e shumicës së 2/3 e cila në mënyrë të shpejtë do t’i realizonte ndryshimet e nevojshme.

Sundimi i së drejtës dhe çrrënjosja e korrupsionit duhet të ndodhin, ndërsa me këtë qëndrim është edhe partneri ynë strategjik, SHBA-të, që e përshëndetën miratimin e Strategjisë nacionale për luftë kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave.

 “Ky është hap i rëndësishëm, por progresi i vërtetë do të matet me zbatimin e suksesshëm të strategjisë. Lufta kundër korrupsionit dhe përforcimi i sundimit të së drejtës janë kyçe për Maqedoninë e Veriut dhe fokuse kyçe për partneritetin ynë strategjik”, thonë nga Ambasada e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut.

Tensionet dhe presioni në periudhën që vijon do të rriten si në nivel qeveritar ashtu edhe në nivel partiak, për shkak se njëra palë pret kongresin e rregullt dhe ndryshime në nivel më të lartë, ndërsa pala tjetër mund të ballafaqohet me  rrezikun nga kongresi i jashtëzakonshëm dhe lider i ri. Ndërsa në vjeshtë do të mbahen edhe zgjedhjet e rregullta lokale.