Duke komentuar raportin e DASH, Kryeministri Zaev tha se korrupsioni nuk është në mesin e funksionarëve. Sipas tij korrupsioni është në funksionimin e administratës, andaj shtoi se nuk do të kërkohet përgjegjësi nga zëvendëskryeministri për luftën e korrupsionit Ljupço Nikollovski.
“Askund në eshalonin më të lartë, por edhe në eshalonin e dytë nuk është gjetur korrupsion. Do të thotë nuk është gjetur korrupsion tek ministrat dhe drejtorët, por është gjetur, sipas analizave, në pjesën e funksionimit të administratës në institucionet publike”, tha Zaev.
Segment pozitiv që përmendet në Raportin në fjalë është puna e Komisionit Antikorrupsion, i cili ka hapur më shumë hetime kundër funksionarëve të lartë. Zaev tha se për dallim nga formati i kaluar i antikorupsionerëve, tani ky format rreth 50 herë më shumë i ka zbatuar vendimet. Megjithatë kryeministri thotë se Komisioni për luftimin e korrupsionit jo çdoherë ka të drejtë.
“Për një pjesë të raporteve, rreth 15-të prej tyre i kemi ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, sepse Qeveria është ndryshe nga trupat e pavarur. Na ato 15-të, 10 i kemi fituar në Gjykatën Kushtetuese, kjo do të thotë se antikorrupsioni jo çdoherë ka të drejtë”, shtoi ai.
Edhe pse pushteti vazhdimisht thekson se po përmirësohet në drejtim të parandalimit të krimit dhe korrupsionit, megjithatë në Raportin e DASH që u publikua para disa ditëve nënvizohet se problem kryesor i Maqedonisë është pikërisht korrupsioni. Gjithashtu theksohet se edhe pse ka ligje të mira për luftë kundër kësaj dukurie, megjithatë zbatimi i tyre është i dobët dhe selektiv.
