-Unë besoj se do të jetë një ndër sukseset e mëdha të kryeministrit të ri Dimitar Kovaçevski, kështu u përgjigj kryeministri Zoran Zaev në pyetjen se kur pritet që vendi do të merr datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, shkruan TV21. Zaev deklaroi se në bisedimet e deritanishme me kryeministrin e ri të Bullgarisë është theksuar se brenda 6 muajve duhet të përmbyllet kontesti mes Shkupit dhe Sofjes.
“Atë çfarë kemi biseduar me kryeministrin e ri të Bullgarisë, Kiril Petkov është se kjo duhet të zgjidhet jo më vonë se 6 muaj. Jemi pajtuar se duhet të formojmë edhe grupe punuese për energjetikë, infrastrukturë, ekonomi, kulturë, shëndetësi, dhe gjithçka çka është me rëndësi që të mund të krijojmë ambient, që të tejkalohen këto çështje”, tha mes tjerash Zaev.
