Zaev: Ende kemi shans për në BE! Opozita akuzon për agjendë të fshehur të Zaevit dhe Borisovit

TË FUNDIT

Pas vetos zyrtare të Bullgarisë, mbetet e paqartë përse fqinji lindor e bllokon rrugën tonë për në Bashkimin Evropian? Këtë mbrëmë e deklaroi kryeministri Zoran Zaev në emisionin “Klik Plus” të TV21.


Në periudhën e kaluar, edhe Zaharieva dhe Karakaçanovi vazhdimisht përsërisin se Maqedonia nuk e respekton Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë, por, sipas Zaevit, askush nuk ka thënë saktësisht se ku po e shkelim marrëveshjen. Negociatat po vazhdojnë dhe ende kemi shans, shtoi kryeministri.


“Ka zgjidhje, ne nuk kërkojmë që dikush të pranojë se ka gabuar ose nuk e di çka… Jo. Ne morëm një shans tjetër nga Këshilli i Ministrave për ta diskutuar këtë çështje. Këtë duhet ta dinë të gjithë. Kjo çështje do të diskutohet. I bëj thirrje popullit tim, popullit tonë që të përmbahet. Djeg, dhemb, e di. Por ne nuk kemi alternativë tjetër”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

I pyetur nëse për gjuhën  dhe identitetin maqedonas, që janë kërkesat kyçe të Bullgarisë, mund të lëshohet pe gjatë negociatave, Zaevi kategorikisht e hedh poshtë mundësinë e tillë…

 “Jo Nuk ekziston. Edhe nëse Zaevi nuk është në atë vend ku është, nuk ekziston. Së pari, të gjithë ne jemi unikë për këtë çështje. Dhe nuk ka dilema. Suksesi ynë i Marrëveshjes së Prespës ishte identiteti, identiteti ynë maqedonas tanimë i shkruar në kartën e identitetit të Kombeve të Bashkuara.
Çfarë? A do të prishim marrëveshje të tjera me një marrëveshje? Së dyti, ky nuk është objekt i  negociatave, për këtë nuk negociohet askund në botë, e nuk negociohet as me ne”, theksoi kryeministri Zoran Zaev.

Lidhur me kërkesën e opozitës që kryeministri të japë dorëheqje për shkak të negociatave të dështuara, Zaev thotë se nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë dhe se nuk do të pranojë takim liderësh me kryetarin e VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. Pas kësaj, Mickoski përmes një kumtese akuzoi Zaevin se ka agjendë të fshehur në negociatat me Bullgarinë.



“Zoran Zaev preferoi të takohet me kryeministrin e Qeverisë së fqinjit tonë lindor, në vend që të ketë një takim liderësh dhe të gjithë së bashku të arrijmë një konsensus kombëtar dhe shtetëror me interesa të mbrojtur kombëtarë dhe shtetërorë dhe pastaj t’i prezantojë argumentet në bisedime për çështjet kyçe me Bullgarinë fqinje. Unë mund ta kuptoj pse Zoran Zaev po ik nga takimi i liderëve. Ai është një politikan me koncesione, por unë nuk kam asnjë koncesion”, potencoi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ministri gjerman për Evropë Mihael Rot,  tha se të gjitha delegacionet kanë shprehur mbështetje për mbyllje të suksesshme të kornizës negocuse, përveç Bullgarisë. Ai megjithatë tha se ende ka shpresë për progres në dialogun Maqedoni-Bulgari