As seanca e sotme qeveritare e përbashkët nuk ka përafruar qëndrimet për iniciativën “Ballkani i Hapur”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbetet në qëndrimin e tij paraprak, por shton se marrëveshjet që janë nënshkruar sot nuk cenohen nga dallimet që mund të jenë.
“Jemi të orientuar kah e ardhmja, e për ne e ardhmja është kah Bashkimi Evropian. Pra Bashkimi Evropian është fati ynë, ndërkaq Evropa është kontinenti ynë. Andaj ne si Republikë e Kosovës i mbështesim të gjitha iniciativat rajonale që janë në Bashkimin Evropian dhe që janë nga Bashkimi Evropian. Natyrisht se asnjëra nga këto marrëveshje që i kemi nënshkruar, asnjëra prej tyre nuk mund të cenohet në zbatim pavarësisht ndonjë dallimi që mund të kemi”, tha Kurti.
Ngjashëm mendon edhe kryeministri Zoran Zaev.
“Edhe pse ne si kryeministra kemi mendime të ndryshme, kjo nuk është pengesë e bashkëpunimit të ndërsjellë sepse kemi detyrimin tonë që t’i shërbejmë të gjithë qytetarëve, ekonomisë sonë, oda ekonomike, institucioneve”, tha Zaev, transmeton TV21.
