Në zgjedhjet lokale, në komunat me shumicë shqiptare, Lëvizja Besa do të dalë me kandidatët e saj, por prapëseprapë do të ketë bashkëpunim me partitë partnere në Qeveri. Në këtë përfundim dilet pas takimit të sotëm që patën kreu i LSDM-së Zoran Zaev dhe ai i Besës Bilall Kasami. Zaev përmes rrjetit social Facebook tregoi për bashkëpunimin me Besën në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Me kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami u pajtuam që partneriteti në koalicionin tonë do të vazhdojë të zhvillohet edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale, për të cilat sipas specifikave të komunave të ndryshme i kërkojmë dhe përcaktojmë kandidatët më të mirë të cilët do të japin rezultatin më të mirë për popullin”, tha Zoran Zaev.
Po kreu i Besës është më specifik në sqarimin e tij për bashkëpunimin që do të kenë në zgjedhjet lokale. Kasami tregon se do të kenë kandidatët e tyre në komunat shqiptare, por kërkon bashkëpunim reciprok duke respektuar pavarësinë e çdo partie.
“Në takimin me kryeministrin Zoran Zaev rikonfirmuan edhe njëherë vazhdimin e koalicionit BESA- LSDM në nivel qendror, ndërkaq për shkak të specifikave të ndryshme Lëvizja BESA në zgjedhjet lokale do të garojë e vetme në komunat me shumicë të popullsisë shqiptare. U dakorduam që bashkëpunimi ndërmjet partive të koalicionit të jetë në mënyrë reciproke duke respektuar mëvetësinë e çdo subjekti, ndërsa mbetemi të bindur se koalicionet i krijon sovrani me votën e tij”, shkroi Kasami.
Në zgjedhjet lokale të tetorit, Zaev ka zgjatur dorën e bashkëpunimit edhe me kreun e BDI-së Ali Ahmeti dhe si me atë të PDSh-së Menduh Thaçi. Pavarësisht kësaj, tashmë është paralajmëruar se në rrethin e parë të zgjedhjeve, në disa komuna të gjithë partnerët do të kenë kandidatët e tyre. Rast konkret është Komuna e Tetovës.
