Zaev dhe Mickoski u ulën dhe u dakorduan, regjistrimi në shtator dhe zgjedhje në fund të tetorit

TË FUNDIT

Është arritur marrëveshje për të gjithë çështjet e hapura për të cilat ekzistonin papajtueshmëri një periudhë më të gjatë – ky është rezultati i takimit të liderëve mes Zaevit dhe Mickoskit, që zgjati rreth tre orë. Është dakorduar prolongim i regjistrimit, në vend që në prill, ai të mbahet në shtator, ndërsa zgjedhjet lokale të prolongohen për në fund të tetorit.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO-DPMNE
“Më e rëndësishmja është që regjistrim do të ketë, andaj u dakorduam që i njëjti të prolongohet, në vend që të mbahet në muajin prill siç u planifikua, është prolonguar për muajin shtator si periudhë e mundshme 5 deri më 30 shtator, 25 ditë.”, deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

“Diaspora filloi të regjistrohet dhe të dhënat që i kemi deri më tani janë regjistruar 200 mijë, është koha që të verifikojmë dhe t’i konfirmojmë se është ashtu që të motivojmë të regjistrohen të gjithë bashkëqytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit dhe të japim atë vazhdimësi, online regjistrim dhe kjo të bëhet mund të jetë joreale, por nuk do të ishte e arsyeshme nëse bëjmë që kjo të ndërpritet”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Përveç regjistrimit, janë dakorduar: debllokimi i Kuvendit, ndryshime të Kodit zgjedhor, si dhe zgjedhjet lokale të mbahen me “fingerprint”.

“U dakorduam që nesër në rend të ditës në suaza të Parlamentit të jetë ndryshimi i Kodit zgjedhor që ka të bëjë me terminalet për leximin e gjurmëve të gishtërinjve ose të ashtuquajturit “fingerprint” dhe presim që me sukses të miratohet në kuadër të Parlamentit. Ndryshimet e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore ose nëse ka propozime të tjera, më tej lista të hapura për këshilltarë për zgjedhjet e ardhshme lokale, zgjedhja e kryetarit të komunës në rrethin e parë”, tregoi Mickoski.

Ky takim u mbajt vetëm mes Zaevit dhe Mickoskit por të mërkurën kryeministri paralajmëroi takime edhe me grupet e tjera parlamentare.

“Sot u konsultova me BDI-në dhe BESËN normal unë nuk mundesha të paraqitem te 22 partitë e tjera për shkak se nuk kishte kohë. Bëmë pauzë që ta dërgoj mesazhin se kjo marrëveshje nuk është marrëveshja mes maqedonasit Zaev dhe maqedonasit Mickoski. Kjo gjë na vendos në pozitë si dy parti më të mëdha në shtet, por ne nuk jemi vetë as në parlamentin as në opozitë as në qeveri. Andaj u konsultova dhe thashë se do t’i konsultoj ASH-në dhe Alternativën të mërkurën në takimin që e kemi caktuar”, shtoi Zaev.

Në takimin Zaev dhe Mickoski kanë biseduar për imunizimin e popullsisë, gjë për të cilën kanë thënë se ky proces do të rrjedhë edhe gjatë prillit kur pritet deri në fund të muajit të arrijnë 350 mijë vaksina dhe pastaj të ketë blerje shtesë për sasi më të mëdha vaksinash.