ZAEV DHE BABISH: RMV MERITON DATË, “PA DATË, KTHEHEMI NË NACIONALIZMA”

TË FUNDIT

Kryeministri Zaev në takimin me homologun e tij çek Andrej Babish nuk parashikoi pyetje të lira gazetarësh. Pas takimit tet a tet, dy kryeministrat në pres-konferencën e përbashkët u dhanë të drejtë pyetjesh vetëm katër gazetarëve, dy nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe dy nga Çekia.

Kryeministri tha se pret që vendi të marrë datë për bisedime ngase ai beson se janë përmbushur të gjitha detyrat e dhëna nga Bashkimi Evropian.

“Dhënia e një date për fillimin e bisedimeve për Republikën e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian këtë verë nuk do të thotë dhuratë vetëm për vendin tonë, por do të thotë se edhe Bashkimi Evropian është parimor. Vendimi i ardhshëm i Këshillit të Bashkimit Evropian, që të ndajë datë për fillimin e bisedimeve është domosdoshmëri për vendin tonë, për Ballkanin Perendimor dhe Bashkimin Evropian. Ajo do të nënkuptojë respekt të meritave individuale dhe motiv për të vazhduar drejt vlerave dhe jo të kthehemi prapa me nacionalizëm dhe populizëm”, deklaroi kryeministri I Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Sipas kryeministrit Zaev, një datë për fillimin e bisedimeve do t’ u jepte kurajo edhe liderëve të vendeve fqinje për t’ i zgjedhur problemet dhe çështjet e hapura. Zaev tha se do të ishte mirë që të gjithë vendet ta ratifikojnë protokollin për aderim në NATO para se të mbahet samiti i NATO-s.

E për ratifikimin e protokollit për aderim në NATO kryministri Çek nuk dha ndonjë datë, por tha se do të kërkon nga parlamenti ratifikim sa më të shpejtë.

“Pasi i keni përfunduar të gjitha detyrat duhet që edhe ata të mbajnë fjalën. Jeni shembulli më i mirë në rajon dhe do të ishte e pakuptimtë dhe shumë demotivuese nëse vendi juaj nuk merr datë. Maqedonia e Veriut dhe Ballkani Perendimor është i rëndësishëm për Evropën. Këto njerëz i përkasin Evropës dhe do të ishte e pakuptimtë nëse nuk janë atje. Do tu kërkojë dhe apeloj edhe deputetëve të Çekisë për të ratifikuar protokollin”, theksoi kryeministri I Çekisë, Andrej Babish.

Përpos kësaj, dy kryeministrat, thanë se pas marrjes së datës, në Maqedoninë e Veriut do të shtohen edhe investimet kapitale. Përveç se takoi Zaevin, Babish është takuar edhe me ministrat e Qeverisë dhe zv/kryeministrin për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev. Fokusi i takimit ishte ekonomia dhe investimet ndërmjet dy vendeve, me çrast Angjushev tha se ekziston hapsirë e madhe që dy vendet të rrisin bashkëpunimin.

Përgatiti: Mevludin Imeri