Zaev dëshiron ta dijë sa serioze është Bullgaria! Zhgënjim për mos fillimin e negociatave, Bërns me mbështetje të qartë

TË FUNDIT

Me dokumentin e publikuar u konfirmua se nuk negociohet për gjuhën dhe identitetin maqedonas, ndërsa këtë e kumtoi edhe pala bullgare për shkak se kjo është paraparë në kornizën negocuese dhe atje qëndron që përkthimi i akteve do të jetë në gjuhën maqedonase. Këtë e deklaroi kryeministri Zoran Zaev në lidhje me dokumentin e publikuar nga Sofja, përkatësisht pesë pikat e dokumentit për të cilin Osmani foli të shtunën, ndërsa edhe Zaev, deklaroi se do të pranohet obligimi për realizim vetëm nëse Bullgaria pohon që nuk do të vendosë veto për fillim të negociatave.

 “Në vetë pikat nuk ka asgjë problematike. Sigurisht është obligim i të dy palëve, jo vetëm i yni, për implementim më të shpejtë dhe më efikas të Marrëveshjes për bashkëpunim, miqësi dhe fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Kjo në fakt është marrja e obligimeve. Ky dokument u dha në rast të dritës jeshile. Andaj kësaj here me të vërtetë duam të dimë sa jemi serioz edhe ne edhe Bullgaria”, tha kryeministri Zaev.

Ambasadorja amerikane Kejt Meri Bërns thotë se është e zhgënjyer për shkak se Maqedonia e Veriut nuk i filloi negociatat ndërsa shtoi se SHBA-të do të vazhdojnë të sigurojnë se vendi ynë i ka plotësuar kushtet dhe se është i gatshëm që ta fillojë procesin aderues.

 “Ne do të vazhdojmë me angazhimet tona diplomatike dhe njëkohësisht të dërgojmë mesazhe. Ne besojmë se e ardhmja e RMV-së është në Evropë, se procesi do të vazhdojë dhe se ndërkohë ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që ta përforcojmë partneritetin tonë me Maqedoninë e Veriu në përkrahjen që e ndajmë me anëtarësimin në institucionet euroatlantike”, u shpreh Kejt Meri Bërns – Ambasadore e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut.

Pikërisht kryeministri Zaev thotë se do të vazhdojnë me përpjekjet për fillim të negociatave. Pritet që të kalojnë zgjedhjet në Bullgarinë pas çka do të dihet se kush do ta udhëheqë qeverinë që të rifillojnë edhe kontaktet politike. Sipas tij datën e ardhshme për zgjerim duhet ta presim në dhjetor edhe pse Osmani dhe vetë Zaevi paraprakisht pohonin se kjo gjë është e mundur edhe në tetor.

 “Sipas meje, dhjetori është vendimi i ardhshëm, edhe pse më 6 tetor është caktuar samiti për Ballkanin Perëndimor dhe për zgjerimin e BE-së. Por, jemi zhgënjyer disa herë, unë dhe populli im, dhe nuk do të mbjellja shpresë për më 6 tetor, për shkak se nuk ka logjikë duke pasur parasysh se vendimet e këtilla të Këshillit evropian dhe Këshillit për punë të përgjithshme i sjell në fund të gjysmë vjetorit kur përfundon kryesimi i një vendi të caktuar”, shtoi kryeministri Zaev.

Nga 1 korriku kryesimin me BE-në e merr Sllovenia prej së cilës pritet që ta mbajë fokusin në zgjerimin  e Unionit.