Ymeri: Angazhimi politik i paraprinë organizatës

TË FUNDIT

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan shënoi 10 vjetorin e themelimit të saj, me ekspozitë me fotografi përgjatë këtyre 10 viteve, shfaqje të filmit dokumentar për “10 vjet gjithnjë në lëvizje” që i kushtohet aktivistit të VETËVENDOSJE!-s, si dhe me ndejë të organizuar për të pranishmit në këtë përvjetor.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri shpjegoi se si është themeluar Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Gjilan. “Lëvizja në Gjilan ka 20 gushtin si datë të themelimit saj. Mirëpo, angazhimi politik i aktivistëve nëpër aksione të ndryshme politike ka ndodhur shumë para kësaj date, duke kundërshtuar kështu decentralizimin etnik që bëhej në Kosovë në përgjithësi, dhe në Anamoravë në veçanti. Pra, angazhimi politik i ka paraprirë organizatës. Decentralizimi që kundërshtonim që atëherë, është veç faza e parë e “Zajednicës” që duan ta bënë tash. Është faza e parë e krijimit të këtij entiteti të pavarur brenda Kosovës, porsi Republika Serbe në Bosne, që ia pamundëson shtetit të Kosovës kontrollin në një pjesë të territorit, si dhe ia pamundëson sovranizimin dhe zhvillimin”, tha Ymeri.

Ai në fund u bëri thirrje qytetarëve të Gjilanit që të bashkohen, dhe të angazhohen me gjithë potencialin në kundërshtim të projektit të “Zajednicës”, projekt ky që qëllim kryesor ka paralizimin e shtetit të Kosovës dhe rritjen e kontrollit të Serbisë brenda Kosovës.