Ylli i “Grey’s Anatomy”, Eric Dane ndërroi jetë në moshën 53 vjeçe

TË FUNDIT

Eric Dane, aktori i njohur për rolin e tij në serialin hit Grey’s Anatomy, ka ndërruar jetë në moshën 53-vjeçare.

Në deklaratën e bërë nga publicist i tij, bëhej e ditur se Dane ndërroi jetë pasditen e së enjtes, pas një beteje të gjatë me sklerozën laterale amiotrofike (ALS), e njohur edhe si sëmundja e Lou Gehrig.

Me zemër të thyer, ju njoftojmë se Eric Dane ndërroi jetë pas një beteje të guximshme me ALS-në. Ai i kaloi ditët e tij të fundit i rrethuar nga miq të dashur, gruaja e tij e përkushtuar dhe dy vajzat e tij të bukura, Billie dhe Georgia, të cilat ishin qendra e botës së tij”, thuhet në reagim.

Aktori e bëri publike diagnozën në vitin 2025 dhe që prej asaj kohe u angazhua fuqishëm për ndërgjegjësimin dhe mbështetjen e kërkimeve për sëmundjet neurodegjenerative. “Ai do të kujtohet gjithmonë me dashuri dhe ishte thellësisht mirënjohës për mbështetjen e fansave të tij”, theksohet më tej në deklaratë.

Karriera e Dane nisi në fillim të viteve 1990 me paraqitje në seriale si The Wonder Years dhe Roseanne.

Në vitin 2003 ai luajti rolin e Jason Dean në serialin Charmed, ndërsa kulmi i suksesit erdhi në vitin 2006 me rolin e Dr. Mark Sloan në “Grey’s Anatomy”, personazh që i solli nofkën e famshme “McSteamy”. Ai ishte pjesë e serialit nga sezoni 3 deri në sezonin 9 dhe u rikthye sërish në sezonin e 17-të në vitin 2021.

Dane u shfaq edhe në filma të njohur si X-Men: The Last Stand, Marley & Me dhe Burlesque.

Në vitin 2019, ai mori rolin e Cal Jacobs në serialin e vlerësuar Euphoria. Krijuesi i serialit, Sam Levinson, reagoi pas lajmit për vdekjen e tij duke u shprehur: “Të punoja me të ishte një nder. Të isha miku i tij ishte një dhuratë.”

Edhe aktorja Kim Raver, kolege e tij në “Grey’s Anatomy”, e përkujtoi si “një dritë që shkëlqente në çdo ambient”.

Pas diagnozës, Dane u bë një zë i fortë në mbështetje të kërkimeve për ALS. Ai foli hapur për simptomat e para, duke treguar se gjithçka nisi me një dobësi në dorën e djathtë, në një intervistë për Good Morning America.

Në tetor, ai udhëtoi drejt Uashingtonit me organizatën I AM ALS për të kërkuar zgjatjen e fondeve dhe përshpejtimin e kërkimeve për trajtimin e sëmundjes. “Eric e përdori platformën e tij jo për vëmendje, por për veprim”, deklaroi organizata pas ndarjes së tij nga jeta.

Deri në fund, ai shprehu dëshirën për të qenë pranë familjes së tij dhe për të parë vajzat e tij, Billie dhe Georgia, të realizonin ëndrrat e tyre. “Do të luftoj deri në frymën e fundit”, kishte thënë ai në një nga intervistat e fundit.

Eric Dane lë pas bashkëshorten, aktoren Rebecca Gayheart, dhe dy vajzat e tyre. Trashëgimia e tij artistike dhe angazhimi i tij humanitar do të mbeten pjesë e kujtesës së publikut dhe industrisë së filmit.