“Ylberit” 70 mijë denarë, “Zllatno Sllavejçes” 1 milion! A po i ndan drejtë mjetet Qyteti i Shkupit?

TË FUNDIT

70 mijë denarë për festivalin “Ylberi”, ndërsa 1 milionë denarë për festivalin “Zllatno Sllavejçe” (Bilbili i Artë). Kjo është shuma që qyteti i Shkupit ka ndarë për këto dy festivale, që sipas drejtorit të festivalit Ylberi, Adem Ymeri është diskriminues

“Vetë shuma tregon. Për festivalin Bilbili i Artë ose Zllatno Sllavejçe 1 milionë, për Ylberin 70 mijë. Edhe nuk i kuptoj për çfarë arsye në këtë mënyrë të devalvojnë. Kjo është vetëm me tendencë, me qëllim”.

Por sipas cilave kritere është vendosur ndarja e këtyre mjeteve!? Nga Qyteti i Shkupit pa komentuar shumë, thanë se gjithçka është vendosur në mënyrë të drejtë, transparente dhe jo diskriminuese.

“Komisioni i formuar nga Qyteti i Shkupit që shqyrton aplikacionet vendos në mënyrë të drejtë, transparente dhe jo diskriminuese”.

Ymeri kritikoi edhe komunën e Çairit e cila dy vite radhazi nuk ka kontribuuar aspak, me përjashtim të vitit të kaluar.

“Komuna e Çairit të përmirësojë gabimet e vitit 2019 që asnjë cent nuk ka dhënë, asnjë denarë, në vitin 2020 asnjë denarë, ndërsa vitin e kaluar gjetëm gjuhë të përbashkët që të kontribuojnë por me një shumë, shumë minimale për vlerat e Ylberit”.

Për këto kritika të drejtorit kështu u arsyetuan nga Komuna e Çairit:

“Si pasojë e paraqitjes së Pandemisë Covid 19, në vitin 2020 Komuna e Çairit nuk ka pas shpallje për mbështetje të shoqatave qytetare, ndërsa në vitin 2021 në shpalljen për mbështetje të shoqatave qytetare nuk ka pasur aplikim nga Festivali për Fëmijë – Ylberi. Gjithsesi ne si Komunë, kemi mbuluar pjesë të shpenzimeve logjistike në kuadër të festivalit”.

E sa i përket këtij viti, nga Komuna e Çairit bëjnë të ditur se së shpejti do të ketë shpallje për këtë çështje.

Ndryshe, edhe Ministria e Kulturës ka shkurtuar mjetet financiare për mbështetje të festivaleve. Në këtë drejtim Ademi bëri të ditur se kanë dorëzuar ankesë deri të ministria me shpresë që të rriten mjetet financiare. Por, pavarësisht mjeteve të shkurtuara dhe buxhetit minimal që Ylberi ka për këtë vit Ademi theksoi se do të realizohet ky projekt.