Selektori i Zvicrës, Murat Yakin në një konferencë për media në Kosovë ka folur edhe për Granit Xhakën dhe raportin që ka me të. Siç tha Yakin, Xhaka është lider dhe luftëtar dhe siç shtoi, nuk e ka pritur kthimin e tij në Premier League
“Nuk ka ndryshuar shumë që nga ndeshja me Kosovën dy vjet më parë. Gjithçka u ekzagjerua shumë. E kemi përballuar dhe kemi bërë këtë rrugë së bashku. Ai është lider. Sigurisht, u zhgënjyem me rezultatin dhe me pësimin e golit në minutën e fundit. Por nuk ishte aq dramatike sa e paraqitët. E përballuam mirë së bashku. Nuk e kam pritur kthimin e Granit Xhakës në Premier League. Është e pabesueshme ajo që po arrinë me Sunderlandin e promovuar. Graniti është lider, luftëtar dhe kjo është shumë e rëndësishme për ndeshjen e nesërme. Sa i takon Xherdan Shaqirit – statistikat e tij te Baseli janë të pabesueshme. Por kemi lojtarë të mirë në pozitën e tij: Ndoye, Vargas, Manzambi, pa harruar Sanchesin”, deklaroi Yakin.
