Të enjten pasdite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Shangai me homologun e tij kazakistanas Kassym-Jomart Tokayev, që ndodhet në Kinë për të marrë pjesë në Konferencën Botërore të Inteligjencës Artificiale 2026 dhe Takimin e Nivelit të Lartë për Qeverisjen Globale të AI-së.
Gjatë takimit, Xi Jinping vuri në dukje se në situatën ndërkombëtare në ndryshime të thella, marrëdhëniet e partneritetit të përhershëm gjithëpërfshirës strategjik Kinë-Kazakistan kanë ruajtur zhvillimin e nivelit të lartë, duke shfaqur potencialin e madh të bashkëpunimit dhe sferën e gjerë të zhvillimit. Kina dhe Kazakistani duhet të forcojnë ndërthurjen e strategjive e politikave të zhvillimit dhe të rrisin pandërprerë nivelin e bashkëpunimit pragmatik, për ta bërë bashkëpunimin strategjik Kinë-Kazakistan të ketë rezultate të reja.
Xi theksoi me tej se dy palët duhet të nxisin zhvillimin me risi të tregtisë, të zgjerojnë bashkëpunimin në fushën energjetike e burimet minerare, të shtojnë fluturimet e drejtpërdrejta ajrore dhe të rrisin nivelin e lehtësimit për transportin rrugor ndërkufitar. Kina është e gatshme të ndajë teknologjitë e ekonomisë digjitale, të AI-së etj. me Kazakistanin dhe të forcojë bashkëpunimin dypalësh në fushat e arsimit, shkencës e teknologjisë, mjekësisë, shëndetësisë, sportit, medias etj. Pala kineze është e gatshme të zbatojë katër nismat e mëdha globale së bashku me palën kazakistanase dhe të forcojë koordinimin e bashkëpunimin dypalësh në mekanizmat shumëpalësh, duke përfshirë OKB-në, OBSh-në, mekanizmin Kinë-Azi Qendrore etj., për të mbrojtur së bashku drejtësinë ndërkombëtare.
Nga ana e tij, presidenti Kassym-Jomart Tokayev u shpreh se Kazakistani i konsideron marrëdhëniet me Kinë si një përparësi kryesore në politikën e jashtme dhe bën përpjekje për të forcuar vazhdimisht partneritetin e përhershëm gjithëpërfshirës strategjik me Kinën. Kazakistani mirëpret forcimin e shkëmbimeve të nivelit të lartë dhe bashkëpunimin me Kinën në fushat e tregtisë, investimeve, transportit, energjetikës, bujqësisë, ekonomisë digjitale etj., duke promovuar shkëmbimet njerëzore. Pala kazakistanase i vlerëson lart katër nismat e mëdha globale dhe konceptin për ndërtimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët të njerëzimit të paraqitur nga presidenti Xi Jinping, dhe është e gatshme të ruajë bashkëpunimin e nivelit të lartë me palën kineze në OKB, OBSh, mekanizmin Kinë-Azi Qendrore etj., duke zhvilluar aktivisht bashkëpunimin në qeverisjen globale të AI-së, për të nxitur së bashku zhvillimin e vazhdueshëm dhe paqen e qëndrueshmërinë globale.
Pas takimit, të dy krerët e shtetit dëshmuan nënshkrimin e shumë marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushat ekonomiko-tregtare, të transportit, të financave, të medias etj.
