Xi Jinping-u: Kina dhe BE-ja duhet t’i sjellin më shumë stabilitet botës së trazuar

TË FUNDIT

Presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje të premten se Kina dhe Bashkimi Europian (BE) duhet t’i sjellin më shumë stabilitet botës që po përballon pandeminë e COVID-19, rimëkëmbjen e ngadalshme ekonomike dhe krizën e Ukrainës.

Në një videotakim me presidentin e Këshillit Europian Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, presidenti Xi u shpreh se, si dy forca, tregje dhe qytetërime të mëdha, Kina e BE-ja duhet të forcojnë marrëdhëniet dypalëshe e shkëmbimet për çështjet lidhur me paqen dhe zhvillimin global. Ai u bëri thirrje të dy palëve të luajnë një rol konstruktiv për t’i shtuar faktorët stabilizues botës së trazuar.

Kreu i shtetit kinez theksoi gjithashtu se Kina dhe BE-ja kanë mjaft interesa të përbashkët dhe një themel të fortë bashkëpunimi. Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit e bashkërendimit, të dy palët mund të zgjidhin problemet dhe të përballojnë së bashku sfida.

Duke vënë në dukje qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e politikës së Kinës ndaj BE-së, presidenti Xi i kërkoi Brukselit të zbatojë një politikë të pavarur ndaj Kinës dhe të punojë së bashku me Pekinin për stabilitetin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të të marrëdhënieve dypalëshe.