Gjatë bisedimeve në Pretoria, presidenti afrikanojugor Cyril Ramaphosa dhe ai kinez Xi Jinping u dakordësuan të nxitin zhvillimin e partneritetit të gjithëanshëm strategjik midis dy vendeve.

Duke vënë në dukje se Kina po nxit rilindjen kombëtare në të gjitha frontet nëpërmjet një rrugë kineze për modernizimin dhe Afrika e Jugut po eksploron një rrugë modernizimi që u përshtatet kushteve kombëtare të saj, presidenti i Kinës tha se vendi i tij është i gatshëm të punojë me Afrikën e Jugut për të trashëguar miqësinë dhe për të thelluar bashkëpunimin e bashkërendimin, për të ndërtuar një bashkësi të nivelit të lartë Kinë-Afrikë e Jugut me një të ardhme të përbashkët.

Ai vuri në dukje që Kina dhe Afrika e Jugut duhet të jenë partnere strategjike me një shkallë të lartë besimi të ndërsjellë dhe duhet të forcojnë shkëmbimet e bashkëpunimin dypalësh dhe të vazhdojnë të japin mbështetje të ndërsjellë në çështjet e lidhura me interesat dhe shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit.
Duke theksuar se përfitimet e ndërsjella janë themeli i bashkëpunimit Kinë-Afrikë e Jugut, Xi bëri thirrje për përparimin e ndërtimit të përbashkët të “Një brez, një rrugë” dhe zbatimin e Programit Strategjik 10-vjeçar mbi Bashkëpunimin ndërmjet Kinës dhe Afrikës së Jugut, për të krijuar pika të reja për rritjen e bashkëpunimit.
Presidenti kinez shtoi se pret me kënaqësi të bashkëkryesojë me homologun afrikanojugor dialogun dhe të punojë me udhëheqësit e vendeve të tjera afrikane pjesëmarrëse për të hartuar një plan të ri për solidaritetin dhe bashkëpunimin Kinë-Afrikë, që synon të nxisë ndërtimin e një bashkësie të nivelit të lartë Kinë-Afrikë me një të ardhme të përbashkët.

Duke përshëndetur mbështetjen e Kinës për Afrikën e Jugut në procesin e saj të zhvillimit kombëtar, Ramaphosa theksoi se Kina është vend “vëlla, mik dhe partner i sinqertë i Afrikës së Jugut” citon CMG.
Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike 25 vjet më parë, Afrika e Jugut ka respektuar me vendosmëri parimin e “Një Kine” dhe marrëdhëniet dypalëshe janë zhvilluar me shkëmbime të ngushta në të gjitha nivelet dhe bashkëpunim me përfitime të përbashkëta në fusha të ndryshme, tha ai.
Investimet kineze dhe bashkëpunimi me Kinën kanë forcuar zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Afrikës së Jugut dhe kanë luajtur një rol kyç në nxitjen e zhvillimit dhe begatisë të vendeve të Afrikës dhe të Jugut Global, vuri në dukje Ramaphosa.
Afrika e Jugut është e gatshme të punojë me Kinën për të thelluar shkëmbimet lidhur me përvojën e qeverisjes dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në tregti, investime, energjetikë, infrastrukturë, prodhim e teknologji, tha kreu i shtetit afrikanojugor.
Sipas tij, Afrika e Jugut dhe vende të tjera të Jugut Global shpresojnë të forcojnë solidaritetin e bashkëpunimin me Kinën për t’iu përgjigjur më mirë sfidave dhe për të promovuar krijimin e një rendi ndërkombëtar më të barabartë, më të drejtë e më të arsyeshëm.
