Kryeparlamentari, Talat Xhaferi nuk mendon se ka gabuar se ka folur në gjuhën shqipe në Parlamentin Evropian edhe pasi për këtë veprim, opozita maqedonase ka parashtruar interpelancë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Ai në TV24 tha se do të përdorë gjuhën amë kudo dhe çdoherë që do të jetë e nevojshme dhe se është i gatshëm të përgjigjet për këtë para institucioneve.
“E kam shfrytëzuar të drejtën time natyrale, të lindur sikurse çdo njeri në vend. Në çfarëdo gjuhe të flisja, unë e përfaqësova Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në dritën më të mirë të mundshme”, tha ai.
Njoftoi se ende nuk e ka pranuar interpelancën që e paralajmëruan nga opozitarja VMRO-DPMNE dhe E Majta.
“Kuvendi nuk është vetëm i shqiptarëve dhe maqedonasve, por është e të gjithëve. Unë kam folur edhe në gjuhën maqedonase në Kuvend. Kushtetuta është fleksibile”, tha më tej Xhaferi./TV21
