Kontributi i NATO-s në sigurimin e mbrojtjes për Europën perëndimore, zgjerimin drejt Ballkanit perëndimor dhe pjesës veriore të Europës zbatimi i misioneve paqësore dhe asistencave në disa vende në botë e ndërtuan NATO-n si partner global dhe eksportues i paqes dhe stabilitetit në botë. Këtë e tha kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në fjalimin e tij në takimin e nivelit të lartë të kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s që mbahet në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnus. Ai e theksoi ndikimin e NATO-s për stabilitetin e rajonit, sidomos në vendin tonë.
“Vendi im, Republika e Maqedonisë së Veriut është shembull i vendit që ishte importues ndërsa sot është eksportues i paqes dhe partner aktiv i NATO-s që kontribuon në Aleancë. Përmes realizimit të qëllimit tonë strategjik, që është përcaktim i shumicës së qytetarëve tanë, ne arritëm që ta mbrojmë pavarësinë, integritetin territorial, moscenimin e kufijve të shtetit, të njohur në mënyrë ndërkombëtare, por edhe të promovojmë politikë të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit të rajonit”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Ai tha se trendët e rinj global të sigurisë dhe gjeopolitikë sjellin me vetë kërcënime ndaj sigurisë së shteteve për çka duhet të ndërtohen mekanizma adekuatë. I theksoi kërcënimet hibride dhe lajmet e rrejshme që drejtpërsëdrejti ndikojnë në sigurinë e shteteve.
“Rajoni ynë i Ballkanit perëndimor është dëshmitar i këtyre aktiviteteve sidomos në dekadën e fundit. Pyetja që parashtrohet këtu është nëse NATO ndryshohet ose ne si vend anëtar dhe si Kuvend kemi kontribut për këtë ndryshim dhe për përshtatjen e ardhmërisë. Nuk kemi alternativë tjetër përveç të vazhdojmë të luftojmë për ekzistimin e sistemit të sundimit të së drejtës mbi sistemin e sundimit të forcës dhe ndryshimit të kufijve me përdorimin e forcës”, shtoi Xhaferi.
Xhaferi njëkohësisht theksoi se edhe NATO duhet të vazhdojë me përforcimin e partneriteteve aktuale duke bërë lidhje të reja me shtet dhe organizata që ende po besojnë në botë të bazuar në vlerat demokratike dhe liberale. Në kuadër të këtij takimi parashihet që të zhvillohet një stërvitje demonstrative e pjesëtarëve të grupit ushtarak të NATO-s.
