Dita e parë në punë për kryeministrin e ri të vendit Talat Xhaferi. Në punë erdhi me veturë të re të tipit Mercedes, veturë kjo që deri tani shfrytëzoheshte nga Dimitar Kovaçevski.
Pasi mori detyrën nga paraardhësi i tij Kovaçevski, ia uruam edhe funksionin por edhe veturën e re. Xhaferi këtë e mori si ironi, ndërsa tha se për të nuk është i rëndësishëm mjeti i transportit.
–Fillimisht dua t’iu uroj funksionin e ri si kryeministër por edhe Mercedesin e ri, e pashë se sot erdhët me Mercedesin e ri në punë.
“Faleminderit për uratat. Ironia për Mercedesin besoj që nuk i shërben askujt. Unë nuk e kam atë kompleks me çka vij, me Mercedes apo privat”, tha Talat Xhaferi – kryeministër.
Xhaferi thotë se detyra kryesore e kësaj qeverie, do të jetë organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
“Natyrisht se edhe Qeveria që do të udhëheqë unë obligohet të vazhdojë me zbatimin e plotë, efikas dhe të suksesshëm të politikave të pranuara në këtë program. S’do mend që detyra primare e kësaj qeverie është parapërgatitja, organizimi dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike”, theksoi Talat Xhaferi – kryeministër.
Pyetëm Xhaferin se cili do të jetë angazhimi i tij si kryeministër mbi problemin e nxënësve dhe mësimdhënësve në Çashkë të Velesit, ku prindërit maqedonas edhe më tej bllokojnë zhvillimin e mësimit. Thotë se nuk i di detajet mirëpo do ta shqyrtojë çështjen.
“Konkretisht çka, pa e parë situatën në përgjithësi çfarë është bërë deri tani, cila rrugë është përcjellë, nuk mund të thuhet konkretisht se çfarë do të bëj. Por gjithsesi, një parashikim i gjithë asaj situate dhe vlerësimi i situatës ligjore do të jetë zgjidhja ligjore konform asaj që parasheh dhe sanksionon edhe ligji edhe Kushtetuta”, deklaroi Talat Xhaferi – kryeministër.
Xhaferi thotë se si Qeveri do të vazhdojnë të qëndrojnë prapa propozimit për ndryshim të Kushtetutës, mirëpo shton se kjo varet nga Kuvendi.
“Qëndrojmë si Qeveri ndaj asaj nisme që është filluar që vitin e kaluar në Qeveri. Nuk varet më nga vullneti i Qeverisë por nga komunikimi i subjekteve politike, sigurimi i konsensusit për 2/3 e votave dhe të vazhdon procesi”, pohoi Talat Xhaferi – kryeministër.
Nga ana tjetër Kryeministri i deritanishëm Dimitar Kovaçevski, tha që periudha derisa ishte në funksion nuk ka qenë e lehtë për të, duke potencuar se me masat qeveritare është vendosur sitem që ka funksionuar në kohë krize. Xhaferit i uroi suksese në punë ndërsa porositi që të vazhdojnë të jenë të përkushtuar në interesat e qytetarëve.
“Pres përkushtim në punë, koncentrim për të gjithë në Qeveri, dhe në këtë drejtim konsideroj se puna do të jetë në nivelin më të lartë. Apeloj deri te të gjitha subjektet politike të cilat nga sot participojnë në Qeveri, ta kenë parasysh të gjithë kontekstin aktual. Thërras që Qeveria dhe të gjithë në të, pa dallim të përkatësisë partiake të punojnë në interes të qytetarëve, ekonomisë, sigurisë dhe stabilitetit, në interes të përgjithshëm të shtetit dhe qytetarëve”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – ish kryeministër.
Përndryshe Qeveria teknike me në krye Talat Xhaferin u votua me 65 vota PËR dhe 3 KUNDËR. VMRO-DPMNE ishte prezente në sallë mirëpo nuk votoi. Opozita shqiptare nuk mori pjesë fare në seancë.
