Xhaferi, Maqedonia e Veriut është vend i pasur me shumë bashkësi, gjuhë, kultura dhe religjione!

TË FUNDIT

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në rrjetin social Facebook pjestarëve të bashkësisë vllahe ju uron 23 majin ditën kombëtare të vllehve.

Në Facebook, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi shkruan:

Të nderuar bashkëqytetarë, pjesëtarë të bashkësisë vllahe,

​ Më paraqet nder dhe kënaqësi të veçantë që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut t’Ju uroj 23 majin, Ditën kombëtare të vllahëve.
Republika e Maqedonisë së Veriut është vend i pasur, i pasur me shumë festa, me shumë bashkësi, gjuhë, kultura dhe religjione. Ajo është pikturë me mijëra ngjyra në të cilën secila e gjen këndin e vet ku e shpreh veçorinë dhe bukurinë e vet dhe që të jetë piktura e kompletuar, secili duhet ta ndjejë dhe të kujdeset për të me respekt dhe mirëkuptim.

Qytetarë të nderuar,
​Kontributi i bashkësisë vllahe në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i gjithëpranishëm dhe i rëndësishëm për jetën e përgjithshme shoqërore të vendit. Vllahët janë të njohur si popull i pasur dhe i arsimuar, kanë shumë personalitete të shquara që kanë jetuar dhe punuar në shtetin tonë, të inkuadruar në mënyrë aktive në politikë, në art, arsim dhe medicinë. Prandaj, më lejoni të shpreh mirënjohje dhe respekt ndaj jush. Të vazhdojmë edhe në të ardhme të ecim bashkë përpara, kah krijimi i rrëfimit të përbashkët të suksesshëm, të themeluar mbi respektin dhe besimin e ndërsjellë, të bashkuar në dallimet tona por përsëri, të unifikuar në realizimin e qëllimeve të përbashkëta.
​Më lejoni që edhe njëherë të Ju uroj Ditën kombëtare të vllahëve dhe të Ju uroj shumë sukses dhe mirëqenie.