Djali im, njëjtë si të gjithë qytetarët e këtij shteti, i gëzon të gjitha të drejtat dhe të drejtën për të konkurruar dhe për t’u punësuar, tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi, në takimin e sotëm me gazetarët, pas reagimit në opinion se djali i tij Barleti po bëhet prokuror dhe u gjend në listën e personave që kanë përfunduar Akademinë për gjykatës dhe prokurorë . Në opinion kishte reagime të ashpra edhe për atë që përveç Barletit në listë u gjendën edhe emra të të afërmve të funksionarëve dhe prokurorëve. Për djalin e Xhaferit edhe vitin e kaluar kishte reagime të shumta për atë se ka fituar të drejtën për të hyrë në provimin e jurisprudencës edhe pse ende nuk ka diplomuar. Për këtë gjë edhe Antikorrupsioni hapi lëndë, por, siç theksoi Xhaferi, nuk është gjendur asgjë e kontestueshme.
Reaguan partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe Lëvizja Besa.
“Në këtë shtet ligjet nuk vlejnë njëjtë për të gjithë. Barlet Xhaferi jo vetëm që nuk guxon të bëhet prokuror, por në përputhje me rregullat, menjëherë duhet t’i merret Vërtetimi për kalimin e provimit jurisprudencës. Parashtrohet pyetja nëse Barlet Xhaferi ka hyrë në provimin e jurisprudencës apo e ka marrë Vërtetimin vetëm për shkak se është djalë i Talat Xhaferit. Barlet Xhaferi nuk guxon të bëhet prokuror publik vetëm për shkak se babai i tij, Talat Xhaferi, është Kryetarë i Kuvendit”, thonë nga VMRO-DPMNE.
“Djali i kryeparlamentarit Talat Xhaferi, Barlet Xhaferi, i cili në mënyrë të dyshimtë dhe akoma të pashpjegueshme nga institucionet kompetente kaloi provimin e jurisprudencës para se të diplomoj, provim i cili është parakusht për ndjekjen e akademisë për gjyqtar dhe prokuror publik sot është në prag të zgjedhjes së tij si prokuror publik”, pohoi Fatmir Sabriu, Lëvizja Besa.
Xhaferi foli edhe për shpenzimet rrugore të deputetëve, gjë për të cilën edhe një herë u tregua se të zgjedhurit e popullit edhe më tej marrin shuma të majme. Tha se e drejta e tillë parashihet me Rregullore, për çdo deputet që nënshkruhet se ka shkuar në Kuvend, por nuk ka mënyrë a mekanizëm që kjo të kontrollohet.
“Kuvendi nuk ka instrumente të tjera për të shqyrtuar besueshmërinë e të drejtës së deputetit, sepse konsiderohet se, edhe sipas kushtetutës, deputeti nuk i jep llogari Kryetarit të Kuvendit apo shërbimit parlamentar. Nëse ka indikacione se ka abuzime, një institucion tjetër duhet të nisë procedurë tjetër”, theksoi Talat Xhaferi, kryeparlamentar.
Në publik pati reagime se përveç asaj që shumë deputet kanë banesa në Shkup, marrin shuma të majme për shpenzime rrugore. Njëra prej tyre është deputetja e VMRO-DPMNE-së, Olga Llozanovska, e cila në emër të shpenzimeve rrugore ka marrë rreth 550 mijë denarë. Megjithatë ka edhe deputet që kanë marrë edhe shuma më të lartë se kjo, ndërsa ato janë Mirçe Axhioski dhe Jadranka Pockova që të dy nga VMRO-DPMNE, si dhe Syrija Rushiti nga Aleanca për Shqiptarët që kanë marrë nga 706 deri më 770 mijë denarë.
