Xhaferi cakton për të hënën seancën për zgjedhje të komisioneve, shumica ende në pikëpyetje

TË FUNDIT

Kreu i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e ka caktuar për të hënën seancën parlamentare në të cilën do të zgjidhen grupet e punës, ndërsa si pikë e dytë e rendit të ditës do të jetë verifikimi i mandatit të një deputeti, paralajmëroi ai në brifingun e sotëm për gazetarë, raporton TV21.

E udhës do të ishte që në fillim të verifikohet mandati i deputetit, por për shkak se Komisioni për Verifikim është shpërbërë, atëherë fillimisht do të shkohet me zgjedhjen e komisioneve. Deri më tani ende nuk është verifikuar mandati i deputetes së LSDM-së, e cila do të zënë vendin e Jagoda Shapanskës, e cila është zgjedhur Ministre për Punë dhe Politikë Sociale, ndërsa ishte kryetare e Komisionit për Verifikime gjatë kohës kur ishte deputete.

Në lidhje me atë se a ka shumicë për votim, sepse përskaj mandatit ende të pa verifikuar të një deputeti, maxhorancës i mungon edhe deputeti Arben Zyberi i cili është prekur me virusin Korona, Xhaferi tha se gjendja e Zyberit është e mirë dhe se deri të hënën do të merret vesh nëse ai do të rikthehet në Kuvend ose si do të votojë./TV21