Witkoff konfirmon se SHBA-ja i ka dërguar Iranit një plan 15-pikësh

TË FUNDIT

I dërguari i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkotff, ka konfirmuar se i është dërguar Iranit një plan 15-pikësh “që përbën kornizën për një marrëveshje paqeje”, raporton “BBC”. 

Gjatë mbledhjes së kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, Witkoff, konfirmoi se SHBA-ja i ka dërguar Iranit planin 15-pikësh nëpërmjet Qeverisë së Pakistanit.

Dokumenti është raportuar prej ditësh, me media që citojnë zyrtarë anonimë, por kjo është hera e parë që Shtëpia e Bardhë konfirmon publikisht se ai është dërguar.

Witkoff thotë se SHBA-ja do ta “ruajë konfidencialitetin mbi kushtet specifike” të bisedimeve dhe “nuk do të negociojë përmes mediave”.

“Do të shohim se ku do të çojnë gjërat, dhe nëse mund ta bindim Iranin se ky është momenti vendimtar pa alternativa të mira për ta, përveç më shumë vdekjeve dhe shkatërrimit. Kemi shenja të forta se kjo është e mundur”.

Gjatë mbledhjes së kabinetit, presidenti amerikan Donald Trump përsëriti se Irani duhet të negociojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, duke paralajmëruar gjithashtu se SHBA-ja do të vazhdojë “të godasë pa mëshirë” nëse Teherani nuk ulet në tryezën e bisedimeve.

“Nëse nuk e bëjnë, ne jemi makthi i tyre më i keq,” tha Trump. “Do të vazhdojmë t’i godasim pa u penguar, pa u ndalur”, tha Trump. 

Komentet e Trump ngritën pyetje të reja mbi gjendjen e bisedimeve indirekte midis SHBA-së dhe Iranit.
Presidenti këmbënguli, siç ka bërë prej ditësh, se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Por zyrtarët iranianë kanë thënë se vendi nuk po negocion me SHBA-në.