Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi bëri thirrje për përpjekje të përbashkëta në ndërtimin e një komuniteti edhe më të afërt me një të ardhme të përbashkët Kinë-Afrikë në një intervistë për gazetën “Reminribao”.
Nga 4 deri më 9 janar, ministri i Jashtëm kinez vizitoi pesë vende të Afrikës, turneu i tij i parë jashtë vendit sivjet. Gjatë këtij turneu, ai vizitoi Nigerinë, Republikën Demokratike të Kongos, Botsvanën, Tanzaninë dhe Sejshellet.
Duke ndjekur traditën 30-vjeçare të kryediplomatëve kinezë, atë të zgjedhjes së Afrikës për vizitën e parë jashtë vendit çdo vit, Wang u shpreh se vizita e këtij viti përcjell një sinjal të qartë mbi forcimin e lidhjeve midis Kinës dhe vendeve afrikane.
Kina po dëshmon me veprime konkrete vëmendjen e saj të veçantë ndaj lidhjeve me Afrikën, vuri në dukje Wang, duke ritheksuar se Pekini mbështet me vendosmëri zhvillimin dhe rilindjen e vendeve afrikane dhe do të qëndrojë gjithmonë përkrah vendeve në zhvillim.
Wang theksoi se pandemia e COVID-19 është një sfidë urgjente me të cilën përballen si Kina, ashtu edhe vendet afrikane, dhe siguroi se Kina do të vazhdojë të sigurojë pajisje mjekësore shumë të nevojshme dhe ekipe ekspertësh për miqtë afrikanë. Ai shtoi se pala kineze do ta mbajë premtimin për ta bërë vaksinën COVID-19 një produkt publik që mund të zotërohet e të përballohet financiarisht nga njerëzit në mbarë botën.
Gjatë vizitës së ministrit Wang Yi, Kina nënshkroi memorandume të veçanta mirëkuptimi për bashkëpunimin në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” me Botsvanën dhe Republikën Demokratike të Kongos, duke i bërë këto dy vende përkatësisht partneren e 45-të dhe të 46-të në Afrikë të bashkëpunimit mbi “Një brez, një rrugë”.
