Pa ndryshime kushtetuese dhe reforma, Maqedonia rrezikon të mbetet pas në rrugën drejt Bashkimit Evropian, paralajmëroi Thomas Waitz, raportues për Maqedoninë, në një intervistë për Euronews Bulgaria. Ai theksoi se përveç përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, Qeveria duhet t’i zbatojë reformat, përndryshe Maqedonia rrezikon të mbetet prapa në rrugën e eurointegrimit.
“Përfshirja e pakicave, e pakicave shtesë, është hap i domosdoshëm që të mund të fillojnë negociatat. Ky është kusht pa të cilin negociatat me të vërtetë nuk mund të vazhdojnë. Përveç ndryshimeve kushtetuese, nevojiten edhe reforma. Në vitin e fundit nuk pamë asnjë progres. Nuk bëhet fjalë vetëm për fillimin e negociatave, por edhe për axhendën e reformave dhe planin e rritjes. Nëse vendi nuk i zbaton reformat e nevojshme, 47 milionë euro nuk do të shkojnë për të, por për vendet fqinje”, tha Thomas Waitz — raportues për Maqedoninë.
Nga LSDM thonë se Waitz-i ua konfirmoi kritikat e tyre se pushteti i drejtuar nga Mickoski nuk ka progres dhe nuk i zbaton reformat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke e çuar kështu me vetëdije vendin drejt izolimit.
“Waitz shprehimisht thotë se nuk sheh përkushtim serioz të Qeverisë për reforma, sidomos në sundimin e së drejtës. Dhe problemi kyç dhe më i madh: korrupsioni dhe gjyqësori jofunksional. Rreziku është humbja e fondeve evropiane, mjetet nga BE-ja do të shkojnë në vende të tjera dhe jo në Maqedoni. LSDM prej muajsh paralajmëron se pushteti i Mickoskit me vetëdije e shtyn shtetin drejt izolimit, që të mundet pa kontroll të zbatojë tenderë kriminal”, thonë nga LSDM.
Por kryeministri thotë se nuk ka dëgjuar diçka të tillë nga Waitz-i, përkundrazi, raportet për Maqedoninë kanë qenë pozitive. Ai ka edhe kritika ndaj LSDM-së, të cilët e akuzojnë se po i pengon integrimet evropiane.
“Nuk e di unë cilin raport e keni lexuar nga raportuesi Waitz, përkundrazi, raporti që e dëgjova unë është plotësisht e kundërta e pyetjes suaj. Do t’ju kujtoj vetëm që, mendoj, në këtë bilbord në vitin 2018 kur e ndryshonin emrin me dhunë shkruhej se do të kishim arsim dhe shëndetësi më të mira. Mendoj se pikërisht në këtë bilbord këtu ishte. A sollën kur e ndryshuan emrin? A sollën kur e ndryshuan emrin?”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Waitz tashmë disa herë në raportet e tij për Maqedoninë ka theksuar se është e nevojshme zbatimi i reformave në vend, por ka pasur edhe vërejtje se nuk është arritur progres në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
