Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri me bashkëpunëtorë, ka marrë pjesë në tribunën me temën “Populli s’pranon zajednicë” që u organizua sot me qytetarët e Mitrovicës, ku u diskutuan dëmet që “Zajednica”, siç e quan VV Asociacionin e Komunave Serbe, ia shkakton Kosovës dhe rëndësinë e angazhimit qytetar për ndalimin e kësaj të keqeje.
Visar Ymeri tha se përfundimisht Zajednica e çimenton ndarjen e Kosovës, duke i dhënë Kosovës ndarje horizontale dhe vertikale të saj.
Politikanët e Kosovës, tha kryetari i VV-së, e çmontojnë shtetin copë-copë, për ta mundësuar pastaj faljen e pjesëve të territorit.
Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se Mitrovica është në njëfarë mënyre epiqendra e ndarjes etnike të Kosovës.
Sipas tij, kërkesa për zajednicë nga Serbia nuk është e rastësishme, por e menduar mirë dhe e qëllimshme.
Ai shtoi se Serbia ngjashëm ka tentuar të veprojë edhe në Kroaci, por pa sukses.
Sipas Konjufcës, “Zajednica do të pengojë krijimin e gjithmbarshëm të Kosovës – ekonomik, kulturor, shkencor…
Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, foli mes tjerash edhe për gjendjen e rëndë ekonomike të qytetarëve të Kosovës.
Sipas saj, duke qenë qytetarët në varfëri të thellë, ata nuk shikojnë më as prejardhjen e produkteve, por vetëm çmimet e tyre, qofshin ato me prejardhje edhe nga Serbia.
Në anën tjetër, qytetarët kanë bërë pyetje të ndryshme që nga fusha e ekonomisë, pastaj mundësinë e anulimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nëse Vetëvendosje vjen në pushtet, çfarë është koordinimi mes partive opozitare sa i përket protestave në të ardhmen etj.
Në fund të këtij debati me qytetarët, aktivistët e Vetëvendosjes kanë zhvilluar një aksion simbolik, duke vendosur një pankartë afër urës kryesore të Ibrit me mbishkrimin “Mitrovica nuk e pranon zajednicën”
