Vulaj: Shtëpia e Bardhë ka dhënë dritë jeshile për takim të ri mes Prishtinës dhe Beogradit

TË FUNDIT

Shtëpia e Bardhë ka dhënë “dritë e gjelbër” për të pritur delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në një takim të ri, pas dështimit të takimit më 27 qershor në Uashington.

Në bisedimet e javës së kaluar me ambasadorin Grenell, aktivistë shqiptaro-amerikanë thonë se ai e bëri të qartë që kjo mundësi nuk duhet shpërdoruar, deklaroi Martin Vulaj, ish-drejtor i Këshillit Kombëtar shqiptaro-amerikan.

“Në njëfarë mënyre ai shfaqi një lloj frustrimi. Ekziston droja që SHBA-ja mund të frustrohet me procesin, se atij mund t’i japin detyra të tjera duke konstatuar që palët nuk janë gati për marrëveshje. Pasi e bëmë takimin me grupin të nesërmen ai kishte takim me presidentin Tramp ku ai i ka kërkuar dhe presidenti ia ka dhënë dritën jeshile që të vazhdojë me procesin, si një shans i fundit, nëse mund edhe unë ta quaj kështu”, thotë Martin Vulaj, për servisin në shqip të “Zëri i Amerikës”.

Fokusi i takimit, si edhe më parë, mbetet tek temat ekonomike, por zoti Vulaj beson se këto bisedime krijojnë energji të re që ai e sheh si hap drejt zgjidhjes politike, transmeton “Zëri i Amerikës”./MIA