Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij “është nën presion gjithnjë e më të madh” për të njohur pavarësinë e Kosovës.
Ai tha se situata në Serbi “ka ndryshuar për të keq”, pas deklaratave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Ky i fundit, më 26 prill, e ka krahasuar Kosovën me dy rajonet separatiste në Ukrainë, Donjeckun dhe Luhanskun, të njohura bashkërisht si Donbas.
Rusia, ashtu si edhe Serbia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Duke iu drejtuar kombit, pasditen e së premtes, Vuçiq tha se “i gjithë Perëndimi do t’i kërkojë Serbisë që të shkojë shpejt kah njohja e pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që t’i thotë Putinit se Kosova nuk mund të krahasohet me atë që po ndodh në territorin e Ukrainës”.
Sipas tij, “një numër i vogël vendesh thonë se janë në favor të normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe se “një numër në rritje kërkon njohje reciproke”.
