Vuçiq: Serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi

TË FUNDIT

Serbët e Kosovës do të votojnë në vendvotimet në komunat në Serbinë qendrore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe, deklaroi të martën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për shtyp.

Ai tha se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 3 prill, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”.

“Ne ramë dakord që të fusim ‘autoritetet qeverisëse’ [në kërkesë]…Ramë dakord që në paragrafin e dytë të fusim që të pyetet Kosova për bashkëpunim për të mundësuar OSBE-në… Madje në fund thamë të vendoset ‘Zyrtari ndërlidhës i Qeverisë së Serbisë’… Asgjë nga këto nuk iu mjaftuan sepse kërkuan vetëm një formulim – ‘Qeveria e Serbisë i lutet apo i kërkon Qeverinë e Kosovës’.

Natyrisht, ne kemi mundur t’i bëjmë të gjitha këto sepse jemi konsultuar me ekspertët tanë dhe e kemi ditur se kjo nuk nënkupton njohjen e Kosovës. Sepse Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ne pranuam kompromise të panumërta, gjëra të panumërta të pakuptimta, për të cilat ata këmbëngulën. Por, ata këmbëngulën dhe kërkuan vetëm një gjë, ajo ishte që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk mund ta pranonte këtë dhe Serbia nuk do ta pranojë këtë”, tha Vuçiq.

Ai tha se sot për herë të parë nuk ka pasur “aktivitete të dakorduara dhe të koordinuara” me serbët e Kosovës dhe se është befasuar nga “propozimet radikale” të tyre.

“I kam lutur që të kenë durim dhe të numërojmë deri në dhjetë”, theksoi Vuçiq.

Serbët e Kosovës, siç tha Vuçiq, kanë kërkuar që menjëherë të largohen nga të gjitha institucionet dhe që “435 policë t’i lënë armët dhe të braktisin policinë”.

Vuçiq theksoi se edhe “njerëzit nga jugu” u pajtuan me këtë “për herë të parë”, të udhëhequr nga zëvendëskryetari i Listës Serbe, njëherësh kreu i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq.

“Unë i pyeta, e bëjmë sot, por çfarë një ditë pas? Ne do të marrim barrën financiare, por të nesërmen kam frikë se mund të hyjmë në rrethin vicioz të konflikteve të luftës”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se u ka kërkuar përfaqësuesve serbë të Kosovës që bisedimet të vazhdojnë më 8-9 prill.

Vuçiq i bëri këto komente pas takimit më 22 mars me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Takimi pasoi njoftimin e BE-së se autoritetet në Kosovë e kanë refuzuar kërkesën e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë të 3 prillit.