Vuçiq: Para fundvitit do të arrijnë sasitë e para të të paktën dy vaksinave kundër koronavirusit

TË FUNDIT

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq njoftoi sot se sasitë e para të “së paku dy” dhe ndoshta tre vaksinave kundër koronavirusit do të mbërrijnë në Serbi “para fundit të vitit”, njofton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Vuçiq deklaroi se fillimi i vaksinimit do të varet nga autoritetet shëndetësore, por shtoi se ai besonte se do të fillonte “në dhjetor dhe më së voni në janar”.

“Ne do të kemi sasitë e para të paktën të dy vaksinave dhe shpresoj se tre para fundit të vitit, gjë që do të tregojë se Serbia është ndër vendet që arritën të sigurojnë vaksina nga destinacione të ndryshme falë reputacionit në botë”, tha Vuçiq.

Ai e specifikoi që Serbia kishte porositur 340.000 doza të vaksinës Fajzer dhe se në vijim ishte testimi i vaksinës ruse, ndërkaq pritej edhe regjistrimi i vaksinës kineze.

“Mendoj se së bashku me një ose dy vende të tjera në Evropë, ne do të jemi të vetmit që do të marrim disa vaksina deri në fund të vitit. Ne do të marrim shumë prej atyre vaksinave në janar. Ne po flasim gjithashtu me “Moderna” për vaksinën e tyre, por ata mund ta dorëzojnë atë vetëm në fund të vitit të ardhshëm. Ne do të shikojmë të ofrojmë të gjitha llojet e vaksinave, kështu që le të zgjedhin qytetarët dhe mendoj se çdo vaksinë është e mirë”, deklaroi presidenti serb.