Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë deklaroi se është i kënaqur nga marrëveshja dhe se bëhet fjalë për marrëveshje dypalëshe me SHBA-në, e jo për marrëveshje trepalëshe edhe me Prishtinën, duke përsëritur se pala e tretë nuk njihet si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, e cila ishte shumë e rëndësishme për ne.
Ai ka bërë të ditur se në Zyrën Ovale ka ftuar presidentin Trump për vizitë në Serbi.
Vuçiq tha se të dyja palët ranë dakord të punojnë së bashku me SHBA në një studim të fizibilitetit për liqenin e Ujmanit.
“Në këtë moment, ne nuk marrim asnjë kilovat energji elektrike nga Liqeni i Ujmanit. Pavarësisht se si e ndajmë atë, ne do të marrim. Kjo është arsyeja pse ata u grindën. Është shumë e rëndësishme që amerikanët të bëjnë një studim të fizibilitetit”, tha Vuçiq.
Ai deklaroi se delegacioni i Prishtinës do të nënshkruajë gjithçka vetëm për kthimin e pikës 10.
“Hoti këmbënguli për këtë dhjetë herë. Ata u zotuan me kontratën e tyre me amerikanët që të bashkohen në mini-Shengen. Kjo do të sigurojë rrjedhën e lirë të njerëzve, kapitalit, shërbimeve. Është e një rëndësie fantastike për të gjithë ne. Nuk ka më taksa”, tha ai.
Vuçiq deklaroi se hapja e Fondit Amerikan të Zhvillimit është planifikuar vetëm për Serbinë dhe nuk ka diçka të tillë për askënd tjetër në rajon.
“Ky do të nënkuptojë një sinjal të fortë për të gjitha agjencitë e kreditit. Kjo tregon se sa Amerika është e interesuar të punojë me Serbinë. Amerikanët do të punojnë në projekte me ne”, vuri në dukje ai.
Ndërsa, ministri i Financave i Serbisë Sinisha Mali tha për Tanjug nga Uashingtoni, se marrëveshja ofron mundësinë që i gjithë rajoni të përparojë ekonomikisht.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Serbisë, Marko Çadezh, tha se marrëveshja e nënshkruar sot ofron një marrëdhënie të re të bashkëpunimit të ndërsjellë ekonomik, krijimin e një hapësire reale ekonomike ku të gjithë mund të përfitojnë, qarkullim të lirë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit, si dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin privat dhe hapje të vendeve të reja të punës.
Drejtori i së ashtuquajturës Zyra serbe për Kosovën Marko Gjuriq marrëveshjen e konsideron një sukses të madh për palën serbe./MIA
