Luftëtarët e Partisë Punëtore të Kurdistanit kanë vrarë tre policë turqë, ndërsa një tjetër është plagosur, pas sulmit me bombë të ndërmarrë kundër automjetit të blinduar të forcave të sigurisë.
Sulmi ndodhi në një auto-rrugë në juglindje të Turqisë, njoftuan burimet e sigurisë.
Një polic tjetër pësoi plagë të rënda në sulmin që ndodhi në qarkun Nusajbin, në krahinën Mardin, kur kryengritësit aktivizuan nga larg bombën e vendosur skaj rrugës.
Mediet turke raportuan se policia ka vendosur pika të kontrollit në gjithë qarkun dhe është vënë në kërkim të sulmuesve. Sipas burimeve të sigurisë, forcat turke kanë vrarë 9 kryengritës kurdë, në luftimet që u zhvilluan në pjesët tjera të kësaj krahine me popullatë shumicë kurde, ku përleshjet e armatosura janë bërë përditshmëri, që nga përfundimi i armëpushimit në korrik./21Media
