Një vrasje ka ndodhur mbrëmë në Velipojë, ku si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit, kanë mbetur të vrarë shtetasit K.V. 59 vjeç, Xh.G. 25 vjeç , E.G. 38 vjeç dhe M.Z. 20 vjeç, si dhe janë plagosur shtetasit H.V. 54 vjeç, dhe E.D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirë në konfliktin e armatosur.
Sipas policisë në Shkodër, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë.
“Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje”, është bërë e ditur në njoftim.
