Vrasje në çdo dhjetë minuta, statistikë e zezë për Brazilin në vitin 2020

TË FUNDIT

Masat kufizuese për shkak të koronavirusit në Brazil nuk arritën t’i ndalin vrasjet në vend. Sipas raportit të fundit vjetor të autoriteteve braziliane për vitin 2020, ka madje edhe rritje prej 4.7 përqind në krahasim me vitin e kaluar.

Pas dy viteve ku numrat janë ulur, në 12 muajt e fundit ka rritje të numrit të vdekjeve të dhunshme në vend – ato janë gjithsej 50,033. Kjo do të thotë që mesatarisht kryhen 6 vrasje çdo orë, ose një në çdo 10 minuta.

Kulmi i dhunës u regjistrua në mars dhe prill të vitit 2020, kur Brazili miratoi masat më të rrepta për shkak të pandemisë. Gjatë asaj periudhe, gati 4,800 njerëz u vranë çdo muaj. Për krahasim, në vitin 2019, 47,742 krime të rënda u konfirmuan në vendin më të madh të Amerikës së Jugut.

Raporti bazohet në të dhëna zyrtare nga 27 rajone të vendit. Nga këto, 16 raportuan një rritje të vdekjeve të dhunshme, nga të cilat 91.3 për qind e viktimave ishin burra dhe 54.3 për qind ishin të rinj midis 18 dhe 24 vjeç.

Gjithsej 3,913 gra janë vrarë. Nga numri i përgjithshëm i vrasjeve, 6,416 i atribuohen forcave të sigurisë – një rritje prej një përqind në krahasim me 2019 dhe numri më i lartë që nga vit 2013./MIA