Vrasja e 8 vjeçarit në Shqipëri, reagon presidenti Ilir Meta

TË FUNDIT

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se vrasja e të miturit në qytetin e Fierit, nga një person me precedentë penalë, është thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë, deri te ndëshkimi e më pas rehabilitimi.

“Krimi makabër i djeshëm, që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës, që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terrenin për këtë vepër penale. Nuk mjafton, që përfaqësuesit e institucioneve të dalin me shprehje tronditëse për ngjarjen dhe ta dënojnë atë. Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë, që dukshëm kanë premisat për të qenë recidivistë dhe për t`u përfshirë në krim, dhe për të cilët sistemi rehabilitues penitenciar dhe i post vuajtjes së dënimit, nuk ka funksionuar”, ka reaguar Meta.

Presidenti ka thënë se nuk ka fjalë për të ngushëlluar familjen e të voglit Mateo. “Zoti dhe drejtësia ua lehtësoftë dhembjen!”, ka shkruar Meta në “Facebook”.

8-vjeçari është rrëmbyer dhe më pas është vrarë nga fqinji i tij, Klodian Çalamani. 38-vjeçari e ka rrëmbyer, e ka mbajtur të mbyllur për disa orë dhe më pas dyshohet se e ka groposur./21Media