Vozitja e shpejtë, shkaktari më i madh i aksidenteve në rrugë

TË FUNDIT

Sipas të dhënave statistikore vozitja e shpejtë edhe më tej mbetet arsyeja dominuese për shkaktimin e aksidenteve të trafikut me pasoja fatale, informojnë nga Këshilli republikan për siguri në komunikacionin rrugor.

Ata theksojnë se pavarësisht faktit që vozitja e shpejtë çon në përfundime famëkeqe dhe gabime që shpesh përfundojnë me vdekje, shumë drejtues automjetesh nuk i respektojnë rregullat e kufizimit të shpejtësisë.

“Kur bëhet fjalë për vozitjen e shpejtë, në thelb ekzistojnë tre grupe drejtuesish: drejtues që i respektojnë plotësisht dhe pa kushte rregullat e kufizimit të shpejtësisë, drejtues që ndonjëherë i tejkalojnë rregullat e kufizimit të shpejtësisë ose e bëjnë këtë brenda devijimeve që sipas mendimit të tyre personal janë të pranueshme dhe drejtues të cilët shpeshherë tejkalojnë rregullat e kufirit të shpejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Ata shtojnë se shpejtësia 10 kilometra në orë mbi atë të lejuar e rrit distancën e ndalimit të automjetit mesatarisht me 10 metra, e cila mund të jetë fatale sidomos në zonat e banuara.

Porosisin se është e rëndësishme të zvogëlohet shpejtësia mesatare në zonat e banuara dhe në rrugët rajonale për të përmirësuar sigurinë në trafik.

“Rezultatet e hulumtimit jashtë vendit tregojnë se me uljen e shpejtësisë mesatare me vetëm 1 km në orë, numri i aksidenteve të trafikut në një zonë të populluar do të zvogëlohej për 4 për qind, ndërsa numri i aksidenteve të trafikut jashtë një zone të populluar do të zvogëlohej për 2 për qind, thonë nga aty.

Fakti që ngasja më e ngadaltë është më e sigurt vërtetohet nga fakti se probabiliteti i vdekjes së këmbësorëve në një përplasje me një automjet me një shpejtësi prej 50 km në orë është 85 për qind, ndërsa probabiliteti që një këmbësor të vdesë në një përplasje nga një automjet me shpejtësi 30 km në orë është më pak se 10 për qind.

“Shpejtësia është një faktor kyç rreziku për sigurinë e grupeve më të rrezikuara të përfshira në trafik, këmbësorëve, çiklistëve, të moshuarve dhe fëmijëve, ndërsa shpejtësia është gjithashtu një faktor kyç në seriozitetin e pasojave për drejtuesit dhe udhëtarët në automjete”, vlerësojnë nga KRSKRR